Organizimi i festivalit “Sunny Hill” ka filluar me ritëm të shpejtë, dhe tashmë janë publikuar datat për edicionin e sivjetshëm të këtij eventi të madh muzikor. Festivalin që organizohet nga Dua Lipa dhe familja e saj, do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht në Bërnicë të Epërme, në Prishtinë.
Për ata që presin të jenë pjesë e këtij festivali, shitja e biletave ka filluar dhe emrat e artistëve që do të performojnë në të dy skenat do të bëhen publik shumë shpejt. Pas suksesit të edicioneve të kaluara, festivali ka arritur të renditet ndër 10 më të mirët në Evropë sipas Shoqatës Evropiane të Festivaleve, duke e konsoliduar pozicionin e tij si një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon dhe më gjerë.
Organizatorët kanë përgatitur një program të jashtëzakonshëm për këtë vit, duke sjellë artistë ndërkombëtarë dhe vendorë që do të bëjnë Prishtinën destinacionin kryesor për verën e 2025-s. Siç thuhet në njoftimin zyrtar të festivalit: “Numërimi ka filluar – shihemi në Sunny Hill Festival më 1, 2 dhe 3 gusht!”
Një detaj që ka tërhequr vëmendjen këtë vit është ulja e çmimit të biletave, pas disa ankesave që kishin ardhur për çmimet e shtrenjta të vitit të kaluar. Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit çmimi i biletës ka rënë në 95 euro, një hap pozitiv që mund të tërheqë më shumë adhurues të festivalit. Viti i kaluar kishte pasur çmime që varionin nga 160 deri në 200 euro për vendet më afër skenës, gjë që shkaktoi shqetësime tek disa pjesëmarrës. Këtë herë, organizatorët janë angazhuar që të përmirësojnë jo vetëm çmimet, por edhe infrastruktura dhe transporti, duke marrë mësime nga vështirësitë e vitit të kaluar.
Përveç përmirësimit të kushteve për vizitorët, një tjetër faktor i rëndësishëm këtë vit është fakti që festivali do të sjellë emra të njohur dhe të suksesshëm nga skenat botërore. Pas disa kritika për listën e artistëve të vitit të kaluar, organizatorët janë kujdesur që këtë herë të ofrojnë një përzgjedhje më të pasur dhe më tërheqëse. E sigurt është që publiku do të ketë mundësinë të shijojë muzikë të larmishme dhe spektakël nga artistët më të njohur globalisht.
Në pritje të fillimit të festivalit, të gjithë sytë janë të drejtuar drejt Dua Lipës, e cila do të performojë në skenë, por gjithashtu pritet të shijojë mbrëmjet si publiku, duke kërcyer dhe u argëtuar mes miqve të saj. Puna për këtë edicion të festivalit është intensive dhe me siguri do të ofrojë tri ditë të paharrueshme plot muzikë, energji pozitive dhe atmosferë fantastike.