Faktet flasin vetë… ose të paktën kështu mendojnë të gjithë ata që panë fotot e ditëlindjes së 30-të të supermodeles Gigi Hadid. Në krah të aktorit dhe regjisorit Bradley Cooper (50 vjeç), Gigi u shfaq duke mbajtur dorën e tij dhe duke treguar një unazë të veçantë në gishtin e dorës së djathtë, duke nxitur thashetheme për një propozim martese.

Në fakt, rasti do të ishte ideal: e gjithë familja e Gigit ishte e pranishme në darkën e mbajtur në restorantin “La Chalet” në New York City, më 25 prill. Mes të pranishmëve ishin motra Bella, mamaja Yolanda dhe babai Mohamed (me të dashurën e tij Keni Silva), si dhe mikja e saj e ngushtë, Anne Hathaway.

Gigi Hadid është nënë e Khai-t (4 vjeç e gjysmë), fryt i lidhjes me këngëtarin Zayn Malik, ndërsa Cooper ka një vajzë, Lea (8 vjeçe), nga marrëdhënia me modelen Irina Shayk.

Çifti Hadid-Cooper frekuentohet që nga tetori 2023 dhe thashethemet për një martesë të mundshme kanë qenë të shumta që atëherë. Një burim pranë çiftit kishte deklaruar për “Daily Mail” se:

“Bradley ka vendosur t’i propozojë Gigit. Kanë diskutuar për familjen dhe martesën që në fillim të lidhjes.”

Nëse atëherë ishin vetëm fjalë, sot unaza duket se e ringjall këtë mundësi.