Sot, në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë, u mbajt ceremonia solemne e varrimit të Papa Françeskut, i cili u përcoll për në banesën e fundit me nderime të veçanta.

Më shumë se 50 liderë shtetesh ishin të pranishëm për t’i bërë nderimet e fundit një pape që u kujtua si një udhëheqës i përulur dhe një mbrojtës i të varfërve, emigrantëve dhe të margjinalizuarve në mbarë botën.

Ceremonia e lamtumirës u drejtua nga Kardinali Giovanni Battista Re, i cili kujtoi zakonin e Papa Françeskut për të përfunduar çdo fjalim dhe çdo takim me fjalët:

“Mos e harroni të luteni për mua.”

Sot, tha Kardinali, “ne i kërkojmë Papës të lutet për ne nga qielli.”

Papa Françesku kishte lënë me testament dëshirën për t’u varrosur në Bazilikën e Santa Maria Maggiore – një vend që kishte një kuptim të thellë shpirtëror për të.

Gjatë gjithë jetës, ai ia kishte besuar veten Virgjëreshës Mari dhe çdo udhëtim jashtë Italisë e shoqëronte me një lutje para ikonës së lashtë të saj në këtë bazilikë.

Një tjetër moment i rëndësishëm gjatë ceremonisë ishte edhe takimi midis Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të cilët u takuan në prag të funeralit – një zhvillim që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare.

Papa Françesku do të mbahet mend si një figurë e përulur, shpirtërisht e fuqishme dhe thellësisht e lidhur me njerëzit në nevojë.