Kur Gerard Piqué dhe Clara Chía dolën publikisht si çift në gusht të vitit 2022, bota bëri një pauzë. Ishte e pamundur të mos e krahasoje këtë lidhje me përplasjen spektakolare që futbollisti kishte lënë pas me Shakirën — një ndarje që më shumë se ndarje, ishte një show me thumba të mprehtë dhe diss-e të vazhdueshme.
Por tani, më pak se dy vite më vonë, gjithçka duket se ka marrë fund.
Sipas emisionit spanjoll “Vamos a ver”, Adriana Dorronsoro konfirmoi se çifti është ndarë zyrtarisht. Paneli i emisionit u trondit, por ajo që pasoi ishte edhe më pikante: dyshohet për një “person të tretë”. Në këtë histori, fjala “fund” nuk vjen kurrë vetëm.
Ndërkohë, gazetari Pepe del Real dha një version tjetër: jo tradhti, por mospërputhje planetesh. Clara donte një familje. Piqué, jo aq shumë. Dhe, siç ndodh shpesh, kur njëri është te kapitulli i emrave për fëmijë dhe tjetri ende në faqen e happy hour-it, nuk ka rrëfim që shpëton pa krisje.
E pastër? Aspak.
Një muaj më parë, Piqué u pa në një dyqan akulloresh në Miami… me një bionde misterioze.
Në sfond, Shakira po bën turin më emocional të karrierës së saj, duke kënduar për dhimbjen, tradhtinë dhe rimëkëmbjen. Madje publikoi edhe një këngë të re, “Última” – një lloj “mic drop” për fundin e dashurisë që s’ia vlejti.
Gossip guru Jordi Martín thotë se Piqué dhe Clara janë ndjerë të poshtëruar nga “himnet” e Shakirës. E kush mund t’i fajësojë? Kur kënga jote e ndarjes bëhet hit ndërkombëtar, është e qartë se ke humbur jo vetëm zemrën e saj… por edhe betejën e narrativës.