Pas fluturimit të saj historik me misionin e parë tërësisht femëror të Blue Origin më 14 prill, Katy Perry nuk ka qëndruar në heshtje përballë kritikave që kanë shoqëruar këtë përvojë të rrallë. Në koncertin e saj në Mexico City më 23 prill, këngëtarja u kthye në mënyrën më të bukur tek ëndrra e saj hapësinore, duke e shndërruar skenën në një platformë frymëzimi.
“Ju ka thënë ndonjëherë ndokush se ëndrrat tuaja janë të çmendura?” pyeti Katy publikun, duke aluduar qartazi për reagimet skeptike që kanë ndjekur udhëtimin e saj jashtë atmosferës tokësore.
Ajo nuk e la me kaq. Në skenë, ftoi dy fansa të veshur me kostume hapësinore blu – një homazh për “timeline-in” e saj aktual, siç e quajti ajo me humor. “Dua që këta zotërinj të vijnë në skenë, sepse janë veshur si unë në kohën më të re,” tha Katy me buzëqeshje.
Për të, ky fluturim nuk ishte një akt kapriço, por një përmbushje personale. “Kam dashur të shkoj në hapësirë për gati 20 vjet,” tregoi ajo për revistën Elle. Madje që në fillimet e diskutimeve për udhëtime komerciale në hapësirë nga Blue Origin, Perry kishte shprehur interesin e saj: “Isha gati të firmosja. Jam e para në radhë.”
Pjesë e ekuipazhit përkrah saj ishin emra të njohur si Gayle King, Lauren Sánchez (e fejuara e Jeff Bezos), shkencëtarja e NASA-s Aisha Bowe, aktivistja Amanda Nguyen dhe producentja e filmit Kerianne Flynn. Ky ishte ekuipazhi i parë tërësisht femëror që udhëtoi në hapësirë që nga Valentina Tereshkova në vitin 1963 – dhe gjithsesi, reagimet nuk ishin të gjitha pozitive.
Modelja dhe aktivistja Emily Ratajkowski, për shembull, e quajti këtë fluturim “një spektakël që vetëm duket si progres për gratë në shkencë.” Sipas saj, fakti që një grup grash të famshme udhëtojnë në hapësirë për turizëm, ndërsa pjesa më e madhe e njerëzve përballen me krizën ekonomike dhe mungesën e mundësive bazike, nuk është progres por dëshmi e një sistemi oligarkik.