Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për kryebashkiakun Erion Veliaj. Gjatë seancës së sotme, Apeli pasi shqyrtoi hetimet dhe kërkesën e Veliajt, vendosi që ta rrëzojë këtë të fundit. 

Po ashtu po sot Gjykata e Posaçme u njoh dhe me informacionin dy mujor dhe veprimet hetimore të kryera nga SPAK ndaj kryebashkiakut. SPAK ka deklaruar se gjatë kësaj kohe janë kryer 114 veprime hetimore që lidhen me dosjen ndaj Veliajt.

Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje". 

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme