Edhe pse Big Brother VIP Albania 4 ka përfunduar, marrëdhënia mes fituesit Gjesti dhe Eglit vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes. Dinamika e tyre komplekse, shpeshherë e ndërlikuar dhe kontradiktore, është rikthyer sërish në qendër të debatit pas komenteve të opinionistes Zhaklin Lekatari në emisionin “Wake Up”.
E pyetur nëse Egli ka qenë manipuluese në raport me Gjestin, Zhaklina tha:
“Nëse ka një njeri që është më makiavelik, është Egli edhe kundrejt vetvetes, jo domosdoshmërisht kundër të tjerëve.”
Ajo shtoi se Egli nuk ka manipuluar të tjerët në mënyrë klasike, por ka nisur duke manipuluar veten:
“Ka manipuluar veten si fillim, mendoj.”
Zhaklina e përshkroi këtë marrëdhënie si shumë përfaqësuese të brezit të ri, duke e distancuar nga modelet klasike të dashurisë.
“Më ka lënë një shije të marrëdhënies së gjeneratës Z, që nuk është një dashuri klasike, nga ato dashuritë me fejesa, martesa, unaza. Një marrëdhënie e gjeneratës së re, e cila zihet, pajtohet, merret prapë, toksike… një marrëdhënie që lindi nga nevoja që të kem dikë që të mbështetem emocionalisht, që të bën të mbijetosh emocionalisht, dhe që është një ishull shpëtimi dhe një njeri që nuk të gjykon brenda kontekstit të Bigut.”
Gazetarja shtoi se në këtë lidhje kishte edhe një dozë rrënimi emocional, mendim që Zhaklin e përforcoi:
“Po, loja e Bigut të rrënon sepse është një eksperiment jashtëzakonisht shumë i vështirë. Por kur ti përfshihesh edhe me të tjerë emocionalisht, rëndesa është edhe më e madhe.”