Një foto, dy fëmijë dhe një botë që ndalet për të komentuar çdo detaj: më 24 mars, Meghan Markle publikoi në Instagram një imazh të butë dhe poetik të fëmijëve të saj, Archie dhe Lilibet, për të promovuar markën e saj të re “As Ever”. Me një mbishkrim të thjeshtë – “Çdo ditë është një histori dashurie” – fotoja bëri xhiron e botës. Fëmijët nuk shfaqen në fytyrë, gjithçka është delikate, intime, e kuruar me kujdes. Por pikërisht ky detaj, në vend që të qetësonte polemikat, i ka ndezur ato.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by @aseverofficial

Sipas gazetarit britanik Matt Wilkinson, që foli në podcast-in A Right Royal Podcast, kjo lëvizje nuk do ta ketë gëzuar princin Harry. “Ai nuk dëshiron që fëmijët të shihen në publik. Ka idenë se sapo t’i nxjerrë nga Montecito, do të ndodhet përballë një ore paparacësh që kërkojnë t’ua fotografojnë çdo hap,” – tha ai. Një ndjeshmëri që buron jo vetëm nga dëshira për privatësi, por edhe nga një plagë e thellë: trauma e humbjes së nënës së tij, Princeshës Diana, përndjekur deri në vdekje nga kamerat.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Meghan, Duchess of Sussex (@meghan)

Por Meghan duket se ka një filozofi tjetër. E rritur në Kaliforni, ajo nuk dëshiron t’i mbajë fëmijët të fshehur. Ëndërron një jetë më “e hapur”, me fëmijë që luajnë në plazh, dalin shëtitje, dhe përfshihen në një realitet që nuk rrotullohet rreth mureve të larta të një vile në Montecito. Këtë e vërteton edhe një tjetër imazh i fundit, i postuar për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ku Lilibet është në një varkë, e përqafuar nga babai Harry që i jep një puthje në qafë – një çast i rrallë, i papërpunuar, i ndjerë.

Megjithatë, përtej përplasjes së qasjeve midis çiftit, është e pamohueshme se Meghan nuk po “shfrytëzon” fëmijët për famë. Përkundrazi, publikimi i tyre është i rrallë, i kontrolluar dhe i mbrojtur. Përjashto disa pamje nga dokumentari Harry & Meghan dhe disa kartolina festive, fëmijët janë mbajtur larg vëmendjes publike. Por siç thotë edhe vetë Wilkinson, “fëmijët nuk do të mbeten gjithmonë fëmijë – një ditë do të dalin në botë, dhe nuk mund të fshihen përjetë.”

Mbetet e hapur pyetja: A është e mundur një balancë mes jetës publike dhe mbrojtjes së intimitetit? Apo në epokën e rrjeteve sociale, çdo imazh, sado diskret, është automatikisht një deklaratë politike, kulturore dhe personale?

Deri atëherë, Meghan dhe Harry vazhdojnë të ecin në një tel të hollë mes ndjeshmërisë dhe ekspozimit, mes së kaluarës mbretërore dhe jetës së re amerikane, ndërsa dy fëmijët e tyre – Lilibet dhe Archie – bëhen simbol i një familjeje që po riformulohet mes dashurisë, traumës dhe dëshirës për të gjetur një vend në botë ku mund të jenë thjesht… vetvetja.