Kate Cassidy, e dashura e këngëtarit të ndjerë Liam Payne, ka ndarë për herë të parë detaje prekëse nga momentet e fundit që kaloi me yllin e One Direction, para se ai të humbte jetën tragjikisht pas një rënieje nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires, Argjentinë, më 16 tetor.

Cassidy, e cila qëndronte me këngëtarin në kryeqytetin argjentinas, ishte nisur për në SHBA vetëm pak orë përpara aksidentit fatal. Në një intervistë emocionale për Jay Shatty, ajo kujtoi bisedën e fundit me Liam-in:
“Mbaj mend që isha ulur pranë tij, dhe po flisja pa ndalur, duke i thënë sa shumë e doja. Ai qeshi, më ndërpreu dhe më tha: ‘Kate, do ta humbasësh fluturimin. Makina është në hyrje. Po sillesh sikur është hera e fundit që do më shohësh’.”

Cassidy rrëfen se ishte përgjigjur me një buzëqeshje, pa e ditur se ato fjalë do të mbeteshin të fundit: “I thashë, ‘E di që po sillem si budallaqe. Duhet të shkoj.’ Dhe ika. Tani, të mendosh që ai ishte me të vërtetë momenti i fundit, është diçka që më drithëron. Por në të njëjtën kohë ndiej paqe, sepse lamtumira jonë ishte e sinqertë dhe plot dashuri. Nuk do të doja të ishte ndryshe.”

E prekur, ajo shtoi se “ishte planifikuar të provonte fustanin e nusërisë atë ditë – jo të vishej me të zeza.”

Në rrjetet sociale, Cassidy ka treguar më herët se Payne i kishte lënë një shënim ku shprehej se kishte planifikuar t’i propozonte për martesë. Ajo ishte ndër të pranishmit në funeralin privat të këngëtarit në Buckinghamshire, së bashku me familjen dhe ish-anëtarët e One Direction.