Përfshirja e Blake Lively në listën prestigjioze 'Time100 Most Influential People of 2025' ka ndezur një debat të zjarrtë në rrjetet sociale. Mes emrave si Serena Williams, Ed Sheeran, Snoop Dogg dhe Demi Moore, përzgjedhja e yllit të “Gossip Girl” ka ngjallur jo pak zemërim e skepticizëm – sidomos në një moment kur aktorja ndodhet në qendër të një procesi të nxehtë ligjor me regjisorin Justin Baldoni.

“Si dreqin ka ndikuar ajo te njerëzit??” pyeti një përdorues në X. “Është fyese për të gjithë të tjerët në listë,” shtoi një tjetër. Komentet e ashpra nuk ndalën me kaq: “Blake Lively nuk është influencuese – ajo është manipuluese, dinake dhe ngacmuese,” shkroi një tjetër kritik. 

Përballë kritikave, aktorja gjeti një mbrojtëse të fuqishme: avokaten e të drejtave civile Sherrilyn Ifill. Në një deklaratë për Time, Ifill e quajti Lively një “filantrope dhe studiuese e problemeve më të rrënjosura të këtij vendi.” Ajo përmendi kontributin e saj dhe të bashkëshortit, Ryan Reynolds, ndaj NAACP Legal Defense Fund në vitin 2019, si dhe përkushtimin e saj për të kuptuar padrejtësitë historike dhe sistematike të SHBA-së.

Blake është një person serioz. Ajo është e guximshme. Dhe është e përkushtuar për të çuar këtë vend përpara – për fëmijët e saj. Dhe për fëmijët e mi,” përfundoi Ifill, duke i dhënë një dritë krejtësisht tjetër figurës së Lively.

Vetë aktorja reagoi në Instagram me një mesazh falënderimi emocional, ku pranoi se kjo ishte një nga momentet më domethënëse të jetës së saj. “Të shkruhet për ty nga Sherrilyn Ifill është një nder që nuk e marr lehtë,” shkroi ajo.

Por ky nder nuk vjen pa hije. Lively është aktualisht në një betejë ligjore të tensionuar me Justin Baldoni, të cilin e ka paditur për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të filmit “It Ends With Us” në vitin 2024. Baldoni ka mohuar akuzat dhe ka kundërpaditur Lively-n, bashkëshortin e saj Ryan Reynolds dhe publicisten e tyre Leslie Sloane për shpifje dhe shantazh. Gjyqi pritet të nisë në mars 2026.