Kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri”, njoftoi se do të fillojë zbatimi i sistemit të kamerave inteligjente fillimisht në qendrat e qarqeve. Ai tha se do ketë një kontroll absolut mbi territorin, i cili do përfitojë nga fuqia e inteligjencës artificiale.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se teknologjia do të mundësojë zëvendësimin e pranisë fizike të policisë në rrugë, duke i dhënë kësaj të fundit një rol reaktiv dhe të përqendruar në ndërhyrje, vetëm kur është e nevojshme. Kryeministri gjithashtu tha se sistemi do të mundësojë monitorimin në kohë reale të shkeljeve të qarkullimit rrugor, me dërgimin automatik të provave dhe gjobave tek drejtuesit e mjeteve.
“Këtë vit do të fillojë zbatimi i sistemit të kamerave inteligjente fillimisht në qendrat e qarqeve. Do të kemi një kontroll absolut mbi territorin, i cili do përfitojë nga fuqia e inteligjencës artificiale.
Falë AI, do të largohet prania konstante e policëve nga rrugët. Policia do ndërhyjë vetëm kur është realisht e nevojshme, jo të ndjekë shkelësit që nuk janë evidentë.
Në kohë reale do të vijë fotoja duke buzëqeshur, ndërsa je duke ecur më shpejt se duhet, me një këshillë për të ulur shpejtësinë, vendin ku do paguash gjobën dhe foton sigurisht,” tha Rama.