“Fëmijët janë si sfungjer të vegjël magjik me sytë formë pasqyre”: Përthithin gjithçka që i rrethon dhe më pas e reflektojnë mbrapsht duke e përvetësuar si në diçka perfekte të gjithën të tyren. Një puzëqeshje e dhuruar? -Ata e transformojnë në një buzëqeshje të mrekullueshme rrezatuese. Një gjest mirësjelljeje?- E kthejnë mbrapsht me një sjellje të ëmbël që të çarmatos. Por kujdes…Fëmijët janë imituesit perfekt të asaj çka shohin dhe dëgjojnë! Edhe një shpërthim zemërimi të momentit, një situatë spontane që zhvillohet në prani të tyre, nuk mbetet pa u vënë re dhe për pasojë të riprodhohet nga ata herët apo vonë. Një vërejtje, një qortim, një fjalë e thënë prerë “JO “, reflektohet në shikimet kurioze të fëmijëve sy magjepsur.
Sepse të rrisësh dhe të edukosh një fëmijë, është pak si të shohësh veten në pasqyrë në mëngjes. Ndonjëherë të duket sikur sheh disa gjëra të mira, sikur ke bërë ca punë të mira dhe herën tjetër zgjedh t’a mbyllësh derën e të riprovosh të nesërmen. Pikërisht këtu ndodh magjia! Fëmijët na tregojnë anën tonë njerëzore, dritën dhe errësirën ndonjëhere dhe na ofrojnë mundësinë që të përmirësohemi. Duke mësuar ata, mësojmë edhe ne. Është një rrugëtim intensiv jete, pa manuale dhe instruksione, por me shumë përqafime. Çdo veprim që bëjmë, çdo fjalë që themi, janë mësime të vogla në heshtje që nguliten mirë në zemrat e tyre dhe ku askush nuk kërkon perfeksionin pasi perfeksioni nuk ekziston! Madje edhe kur gabojmë, mund t’a transformojmë gabimin në një mundësi, për të treguar vlerën e modestisë, përulësisë, të kërkimit të faljes dhe që të provojmë sërish edhe me më shumë dashuri. Të edukosh një fëmijë, është një rrugëtim i përbashkët: Ata rriten me ne dhe ne rritemi gjithashtu falë tyre.
Me aventura, qortime, rrëzime e ringritje. me plot të qeshura dhe një pafundësi momentesh e kujtimesh për t’i ruajtur thellë në zemër