Melinda Gates u nda nga ish-bashkëshorti i saj, Bill Gates, për shkak të mungesës së besimit.
Filantropistja foli për çfarë “mësoi nga martesa” gjatë një interviste në emisionin “The Late Show with Stephen Colbert” të hënën — pothuajse katër vjet pas divorcit nga bashkëthemeluesi i Microsoft-it.
“Unë mësova se, për të pasur një marrëdhënie të ndershme dhe të bazuar në besim, që ishte ajo që doja nga martesa, të dy partnerët duhet të jenë të sinqertë me njëri-tjetrin,” tha ajo.
“Nëse nuk je dot, atëherë nuk mund të kesh intimitet dhe nuk mund të kesh besim. Dhe kështu, në fund, unë duhej të largohesha.”
Stephen Colbert më pas e pyeti Melindën, 60 vjeçe, nëse po dilte me dikë.
“Po,” u përgjigj ajo duke u skuqur. “Ka qenë vërtet bukur. Vërtet bukur.”
Melinda nuk zbuloi shumë për marrëdhënien e saj aktuale, por “Page Six” kishte konfirmuar vitin e kaluar se ajo po takohej me biznesmenin Philip Vaughn. Ajo kishte treguar më herët se ishte ndarë nga Bill, 69 vjeç, për shkak të tradhtisë së tij dhe lidhjes me Jeffrey Epstein.
“Nuk më pëlqeu që ai kishte takime me Jeffrey Epstein, jo. Ia kam bërë të qartë [Billit],” tha Melinda në një intervistë për “CBS Mornings” në vitin 2022, duke shtuar: “Epstein ishte i neveritshëm. Ai ishte e keqja në mish. Zemra më dhemb për ato gra.”
Bill më vonë e pranoi për Wall Street Journal se ishte “i marrë” që kaloi kohë me Epstein-in, i cili u vetëvra në burg në vitin 2019, dhe e cilësoi këtë si një “gabim të madh”.
Në vitin 2021, u publikua lajmi se Bill kishte pasur një lidhje me një punonjëse të Microsoft-it.
Një vit më vonë, ai pranoi në mënyrë të tërthortë se kishte bërë “gabime” në martesën e tij.
Divorci i Gates-ëve ka rikthyer vëmendjen ndërsa Melinda po promovon kujtimet e saj në librin “The Next Day”.
Ish-çifti, që u martua në vitin 1994, ka tre fëmijë: vajzat Jennifer, 28 vjeç, dhe Phoebe, 22 vjeç, dhe djalin Rory, 25 vjeç.