Në një ceremoni të mbushur me emocione dhe dhimbje, Universiteti “La Sapienza” në Romë ka nderuar Ilaria Sulën, studentja shqiptare që u vra brutalisht nga ish-i dashuri i saj me origjinë filipinase, duke i dhënë emrin e saj një prej sallave të reja të studimit në ambientet universitare.

Në prani të prindërve dhe vëllait të Ilarias, u përurua hapësira “Ilaria Sula” brenda Godinës së Teatrit të Ri Universitar, si pjesë e festimeve për 722-vjetorin e themelimit të universitetit. Krahas saj, u inauguruan gjithashtu Biblioteka e re e Jurisprudencës dhe Salla “Montessori” në Godinën e Mineralogjisë.

Në njoftimin zyrtar të universitetit thuhet:
“Hapësirat e reja të studimit i janë kushtuar Ilaria Sulës. Që të mos harrojmë të gjitha gratë viktima të femicideve, e ardhmja e të cilave nuk mund të shkruhet më.”

Në hapësirën e dedikuar është vendosur një pllakë përkujtimore, e cila mban po këtë mesazh, kthyer tashmë në një thirrje për ndërgjegjësim dhe reflektim të thellë mbi dhunën ndaj grave.

Rektorja Antonella Polimeni theksoi në fjalën e saj:
“Përvjetori i këtij viti u shënua me dhimbje për vdekjen tragjike të Ilaria Sulës, studentes sonë viktimë e femicideve. Universiteti e miratoi emërtimin e hapësirës për të mos harruar atë që ndodhi dhe për të mbajtur gjallë kujtimin e një vajze të Sapienzës.”

Në një moment prekës, i ati i Ilarias, Flamur Sula, mes lotëve u shpreh:
“Sot, Ilaria rilindi.”

Ilaria, vetëm 23 vjeçe, studente e Shkencave të Statistikës, u shpall e zhdukur më 25 mars 2025. Më 2 prill, trupi i saj u gjet brenda një valixheje në një zonë pyjore jashtë Romës. Ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson, e kishte goditur me thikë dhe më pas e kishte hedhur trupin.