Një reagim i fortë nga aktori i njohur i humorit, Florjan Binaj ka ardhur së fundmi për “Big Brother VIP Albania”. Në një postim në Instastory, Binaj ka komentuar ashpër incidentin e fundit brenda shtëpisë, ku ish-banori Jozefin Marku  goditi me shuplakë Gjestin, pak sekonda para se të largohej pas eliminimit.

“Pig Brother Gjys’ VIP” – kështu e quan ai spektaklin, duke e krahasuar me një ahur derrash dhe duke vënë në dyshim statusin e “VIP”-ave në lojë. Në kritikën e tij publike, Binaj e cilëson formatin si të “degjeneruar prej kohësh” dhe akuzon produksionin për hipokrizi: “Produksioni, sado që na qenkërka distancuar nga ajo që ndodhi, ka muaj që mezi pret që diçka e tillë të ndodhë, për t’i rritur shikueshmërinë!”

Ai nuk ndalet me kaq. Në një varg akuzash të drejtpërdrejta, thekson se:

“Zarfi i zi u kthye nga ndëshkim në bonus. Lartimi dhe lavdia e paaftësisë, injorancës, dhunës, duke i shitur si vlera të formatit.”

Sipas tij, kur një produksion nuk është më në gjendje të prodhojë vlera të mirëfillta, zgjedh të shesë dhunën, konfliktin dhe banalitetin si spektakël.

Kritika më e rëndë? Drejtë për drejtë në adresë të Top Channel.

“Brenda një 10-vjeçari u pa se si një televizion kombëtar, nga fole që thith talente dhe i shërben publikut ajkën e cilësisë, u kthye në një fole për të paaftët që t’i shesin publikut anti-vlerat dhe boshllëkun për cilësi.”

Reagimi i tij vjen në një kohë kur debati mbi standardet morale dhe etike të reality show-ve në Shqipëri ka marrë përmasa të mëdha. Por ndryshe nga zakonisht, kësaj here nuk është thjesht një koment në rrjet – është një thirrje për reflektim. Dhe ndoshta, një sinjal alarmi.