Në një ngjarje të paprecedentë për historinë e spektaklit më të ndjekur në vend, Big Brother VIP, mbrëmja e së shtunësdo të mbetet gjatë në memorien e publikut. Pas eliminimit të tij nga gara, Jozi shkaktoi një skenë të dhunshme dhe të papranueshme duke goditur me shuplakë Gjestin, në sy të publikut dhe kamerave.

Pak minuta pas incidentit, forcat e policisë mbërritën në ambientet e spektaklit, ku arrestuan menjëherë Jozin dhe e shoqëruan me pranga në Komisariatin Nr. 6.

Dëshmia e tij, e siguruar nga Report Tv, tregon për një konflikt të akumuluar gjatë gjithë qëndrimit në shtëpi:
“Më ka provokuar gjatë gjithë lojës, nga gjaknxehtësia e qëllova. Nuk e durova më!” – është shprehur ai përpara oficerëve të policisë.

Jozi u mbajt për rreth pesë orë në komisariat dhe më pas është liruar në orët e para të mëngjesit, por ndaj tij ka nisur një procedim penal në gjendje të lirë. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, materialet i janë referuar Prokurorisë, e cila do të ndjekë më tej hetimin për veprën penale të dhunës fizike.