Në botën e luksit dhe ekskluzivitetit, disa resorte europiane kanë fituar një status legjendar, jo vetëm për bukurinë e tyre, por edhe për faktin se kanë mirëpritur mbretër, ikona të modës, artistë të mëdhenj dhe personalitete të fuqishëm nga e gjithë bota. Dhe ne me Class Explore na pëlqen të sjellim në vëmendje, duke udhëtuar virtualisht, destinacione të vecanta!

Le të bëjmë një udhëtim nga brigjet magjike të Santorinit deri te mrekullitë e Rivierës Amalfitane, për të zbuluar disa prej resorteve që i kanë bërë ëndrrat realitet.

Katikies Santorini – Elegancë në zemër të Egjeut

Në ishullin magjepsës të Santorinit, Katikies nuk është thjesht një resort, është një përvojë që sfidon kohën. Vilat e bardha, pishinat private me pamje nga perëndimet hipnotizuese kanë tërhequr emra si Beyoncé, Brad Pitt dhe Mbretëresha Rania e Jordanisë. Intimiteti dhe luksi i sofistikuar e bëjnë Katikies një strehë ideale për ata që kërkojnë qetësi absolute, larg syve të botës.

Belmond Hotel Caruso, Amalfi – Një pallat mbi re

Në majën e Ravellos, me pamje të pakrahasueshme mbi bregdetin Amalfitan, ndodhet Belmond Hotel Caruso, një manastir i shekullit të 11-të i transformuar në një resort mahnitës.

Princesha Margaret, Greta Garbo dhe Jackie Kennedy kanë qenë ndër vizitorët e këtij vendi që duket si i marrë nga një përrallë. Pishina infinitive e tij, që duket sikur shtrihet në qiell, është një nga më të famshmet në botë.

Vedema Resort, Santorini – Një fshat i transformuar në parajsë

Nëse Katikies është sinonim i luksit klasik, Vedema ofron një version më të fshehtë dhe autentik të Santorinit. Ndërtuar rreth një sheshi tradicional të shekullit të 15-të, ky resort ka pritur shumë figura të njohura që kërkonin privatësi absolute dhe një përvojë më të lidhur me kulturën lokale.