Pas më shumë se një çerek shekulli bashkëjetesë, bashkëshortore dhe politike, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë zyrtarisht të divorcuar. Më 11 prill 2025, Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e martesës mes dy figurave që, për dekada me radhë, kanë qenë të pandashëm në jetën publike dhe në skenën politike shqiptare.

Përballja përfundimtare nuk ndodhi në një podium partie, por në një sallë gjyqi. Meta, tashmë nën masë sigurie dhe i shoqëruar nga burgu 313, ishte i pranishëm në seancë. Ndërsa Monika Kryemadhi mungoi, duke u përfaqësuar nga avokati i saj, Redi Llanaj. Mungesa e saj në këtë moment final duket se ishte simbolike për rrugët e ndara që ata kanë ndjekur tashmë edhe emocionalisht, jo vetëm politikisht.

Martesa e tyre, e nisur në tetor të vitit 1998, solli në jetë tre fëmijë: Borën, Besarin dhe Erën.

Në verën e 2022-shit, menjëherë pasi përfundoi mandatin si President, Ilir Meta rimori drejtimin e LSI-së dhe i dha asaj një emër të ri, Partia e Lirisë. Me këtë riformatim erdhi edhe përjashtimi i Kryemadhit nga strukturat drejtuese të partisë, duke sinjalizuar një ndarje që kishte kaluar përtej jetës private.

Procedurat për divorc nisën në qershor të vitit të kaluar, ndërsa më herët ishte raportuar se Meta nuk banonte më në shtëpinë familjare dhe kishte deklaruar si adresë zyrtare selinë e partisë.