The Late Late Low.
Në një mbrëmje ku shkenca dhe Hollywood-i takohen për të festuar gjenialitetin njerëzor – saktësisht në ceremoninë prestigjioze Breakthrough Prize në Los Angeles – James Corden vendosi të bëjë… humor. Apo të paktën të përpiqet.
“Sonte është e vetmja natë që Hollywood dhe shkenca bëhen bashkë - përveç, sigurisht, asaj nate magjike kur Dr. Anthony Fauci kaloi një natë (one night stand) me Judi Dench,” tha Corden nga skena, me atë buzëqeshjen e tij të zakonshme. Por në vend të të qeshurave? Heshtje. Pastaj kamerat fokusuan Olivia Wilde, e cila dukej si të kishte parë një asteroid duke rënë mbi Beverly Hills.
Dame Judi Dench, 90 vjeç, një ikonë e teatrit dhe filmit britanik, nuk ndodhej në sallë për të dëgjuar këtë batutë që duket se nuk kishte kaluar filtrin e sensit të masës. As përfaqësuesit e saj, e as ata të Corden-it nuk kanë komentuar ende për këtë episod të sikletshëm që tani po qarkullon me shpejtësi nëpër portale.
Por kjo nuk është hera e parë që Corden kalon kufirin. Në vitin 2017, gjatë amfAR Gala, bëri disa shaka të errëta për skandalin e Harvey Weinstein – duke përmendur masazhe në hotele dhe bimë zbukuruese si “opsion i dytë” për producentin famëkeq. Atëherë, Rose McGowan reagoi me indinjatë, duke e akuzuar komedianin se po bënte humor mbi dhunën seksuale. Ai kërkoi falje më vonë në Twitter: “Nuk ishte për të bërë humor me viktimat, por për të turpëruar abuzuesin.” Por dëmi ishte bërë.
Dhe tani, historia po përsëritet. Në një sallë plot me emra si Gwyneth Paltrow, Drew Barrymore, Christina Aguilera, Bill Gates e Mark Zuckerberg, Corden gjeti momentin për të ndërlidhur shkencën, Judi Dench dhe… Dr. Fauci, në një skenar që nuk do ta kishte menduar as ChatGPT në skenarin e vet më të çmendur.