Të gjithë i kërkojnë, të gjithë i duan. Proteinave u jepet një rëndësi e madhe dhe me plot të drejtë, pasi janë një makronutrient esencial për shëndetin tonë. Ato ndihmojnë në ndërtimin e muskujve, mbështesin sistemin imunitar, rregullojnë hormonet dhe janë thelbësore për mirëqenien e lëkurës, flokëve dhe thonjve. Proteinat mund të gjenden si në burime shtazore (mish, peshk, vezë dhe produkte bulmeti), ashtu edhe në burime bimore (bishtajore, fruta të thata, drithëra integrale).
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një i rritur duhet të konsumojë të paktën 0.8 gram proteina për kilogram peshë trupore. Ky nivel mund të ndryshojë në varësi të moshës, aktivitetit fizik dhe gjendjes shëndetësore. Por çfarë ndodh kur organizmi nuk merr mjaftueshëm proteina? Siç thekson një artikull i publikuar në revistën Health, mungesa e proteinave mund të japë disa sinjale të qarta që nuk duhen neglizhuar. Ja cilat janë ato:
1. Fryrje dhe mbajtje e lëngjeve
Proteinat luajnë një rol kyç në rregullimin e balancës së lëngjeve në trup. Kur nivelet e albuminës (një proteinë e pranishme në gjak) janë shumë të ulëta, lëngjet grumbullohen në inde, duke shkaktuar fryrje, veçanërisht në këmbë, duar dhe fytyrë. Ky fenomen, i njohur si edemë, është një nga shenjat e para të mungesës serioze të proteinave.
2. Lëkurë e zbehtë, flokë dhe thonj të brishtë
Proteinat janë përbërësit kryesorë të keratinës dhe kolagjenit, dy elementë thelbësorë për shëndetin e lëkurës, flokëve dhe thonjve. Nëse flokët të bien më shpesh, janë më të hollë dhe të brishtë, thonjtë thyhen lehtësisht dhe lëkura duket më e thatë dhe pa shkëlqim, mund të jetë një shenjë e një diete të varfër me proteina.
3. Rritje e rrezikut për t’u sëmurë
Sistemi imunitar mbështetet në proteina për të prodhuar antitrupa dhe për të luftuar viruset dhe bakteret. Nëse sëmuresh shpesh, ke infeksione të përsëritura ose shërohesh më ngadalë nga plagët dhe sëmundjet, mund të kesh mungesë proteinash që dobëson aftësinë e trupit për t’u mbrojtur.
4. Humbje e masës muskulore dhe ndjenja e dobësisë
Muskujt përbëhen kryesisht nga proteina. Kur organizmi nuk merr mjaftueshëm proteina përmes ushqimit, ai fillon të shfrytëzojë rezervat e tij muskulore. Kjo çon në humbje të masës muskulore, ndjenjë lodhjeje dhe dobësie, duke e bërë më të vështirë edhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme.
5. Kocka të brishta dhe rrezik për fraktura
Proteinat nuk janë të rëndësishme vetëm për muskujt, por edhe për strukturën kockore. Një dietë e varfër me proteina mund të ulë densitetin mineral të kockave, duke rritur rrezikun për osteoporozë dhe fraktura, veçanërisht tek të moshuarit ose tek ata që kanë një stil jetese të ulët në aktivitet fizik.
6. Luhatje të pashpjegueshme në peshë
Një deficit proteinik mund të shkaktojë si humbje, ashtu edhe shtim në peshë. Nga njëra anë, humbja e masës muskulore mund të çojë në rënie të peshës, ndërsa nga ana tjetër, një dietë e pasur me karbohidrate dhe e varfër me proteina mund të favorizojë shtimin e yndyrës dhe të ngadalësojë metabolizmin.
7. Lodhje e vazhdueshme dhe anemi
Proteinat janë të domosdoshme për prodhimin e hemoglobinës, molekulës që transporton oksigjenin në gjak. Një mungesë proteinash mund të shkaktojë anemi, me simptoma si lodhje kronike, zbehje e lëkurës dhe vështirësi në përqendrim. Nëse ndihesh i/e rraskapitur shpesh, pa ndonjë arsye të dukshme, mund të jetë një shenjë se duhet të rrisësh konsumimin e proteinave në dietën tënde.
Si të sigurojmë një konsum të mjaftueshëm të proteinave?
Sipas nutricionistes Valentina Palazzo nga LabQuarantadue Milano, për të shmangur problemet që vijnë nga mungesa e proteinave, është e rëndësishme të përfshihen në dietë burime të ndryshme proteinash, duke balancuar ato shtazore dhe bimore.
• Për ata që ndjekin një dietë vegjetariane apo vegane, alternativa të mira janë bishtajoret, quinoa, tofu dhe farat e ndryshme.
• Për ata që ushtrojnë aktivitet fizik, një konsum më i lartë i proteinave ndihmon në rikuperimin muskulor dhe përmirësimin e performancës.
• Nëse ke dyshime për marrjen e duhur të proteinave, një konsultë me një nutricionist mund të të ndihmojë të përshtatësh një dietë të personalizuar sipas nevojave të tua.