Në një intervistë përballë Meriton Mjekiqit, Soni Malaj ka pohuar se në Shqipëri janë vetëm tre artistë që këndojnë live në koncerte të mëdha: ajo vetë, Aurela Gaçe dhe Alban Skënderaj.

Duke folur për sfidat e performancave live, ajo u shpreh se shumica e këngëtarëve mbështeten në playback, ndërsa tregu muzikor shqiptar nuk ofron kushtet e duhura për një skenë të vërtetë live.

“Kur vjen fjala për të bërë një koncert live, në të gjithë industrinë jemi tre veta. Nëse në Shqipëri do bëhen evente të mëdha dhe duhet të dalim në sheshin Skënderbej para 20 mijë vetave live, jam vetëm unë, Aurela Gaçe, Alban Skënderaj. Çdo gjë minimizohet, nga qindra këngëtarë që janë, bie numri.

Pse playback-u mbizotëron në industrinë muzikore?

Sipas Sonit, një nga arsyet kryesore pse shumica e këngëtarëve nuk performojnë live është mungesa e kushteve teknike në klubet e natës dhe koncertet. Pronarët e klubeve shpesh preferojnë playback, pasi nuk duan të rrezikojnë cilësinë e eventeve me një performancë të dobët live.

“Edhe kur duam të këndojmë live, nuk është teknika e duhur. Audienca e kupton shumë mirë këtë. Ndoshta edhe këngëtarët duan të dalin live, por nuk janë kushtet, sepse gjithçka është shumë e shpejtë.”

Pavarësisht kritikave për mungesën e performancave live, Soni vlerësoi faktin që muzika shqiptare ka evoluar në aspektin e imazhit dhe paraqitjeve skenike. Sipas saj, konkurrenca ka sjellë një profesionalizëm më të madh, por njëkohësisht edhe një konsum të shpejtë të artistëve dhe hiteve.