Gjykata e Tiranës ka vendosur këtë të enjte që 14-vjeçari Mario Përlleshaj të dalë në gjyq për akuzën e vrasjes së bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani. Ai do të përballet me drejtësinë për veprën penale të vrasjes me rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave.
Mësohet se avokati i tij kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, por Gjykata ka rrëzuar kërkesën, duke vendosur që çështja të trajtohet në një proces të rregullt gjyqësor.
Ngjarja tragjike ndodhi mesditën e 18 nëntorit 2024, kur Cani u qëllua me thikë në bark nga Përlleshaj pas një konflikti mes tyre. Të dy të miturit ishin nxënës në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” dhe raportohet se debati kishte nisur fillimisht në oborrin e shkollës, për të përshkallëzuar më pas jashtë saj.
Në momentin e sulmit, autori ka nxjerrë thikën dhe ka goditur Canin, i cili, i plagosur rëndë, ka arritur të ecë disa metra drejt shkollës përpara se të rrëzohej në trotuar si pasojë e gjakderdhjes së madhe. Ai u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.
Në konflikt është përfshirë edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçja, i cili është plagosur, ndonëse nuk ishte nxënës në të njëjtën shkollë me ta, por frekuentonte të njëjtin klub futbolli. Gjithashtu, edhe vetë autori ka marrë lëndime në dorë dhe është trajtuar për disa ditë në një spital privat pas ngjarjes.