Dhjetëra linja të reja hekurudhore të nisura vitet e fundit po e lehtësojnë udhëtimin përtej kufijve evropianë. Por një projekt i saposhpallur nga një institut me qendër në Kopenhagen synon të çojë lidhjet mes vendeve të kontinentit në një nivel krejtësisht të ri.

I quajtur “21st Europe”, ky projekt ambicioz parashikon krijimin e një rrjeti hekurudhor të shpejtësisë së lartë në mbarë Evropën, i cili do të funksionojë si një sistem metroje ose një tub transporti ultra të shpejtë.

Linja e re, e quajtur “Starline”, synon të revolucionarizojë infrastrukturën hekurudhore të kontinentit, duke e bërë më të integruar, më të shpejtë dhe më efikase se kurrë më parë. Krahasuar me udhëtimet ajrore, ky rrjet premton lidhje shumë më të shpejta dhe të qëndrueshme.

Projekti synon të lidhë 39 destinacione në Evropë, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe Ukrainën. Sipas hartës së propozuar, pjesë e këtij rrjeti do të jetë edhe Tirana.

“Sistemi i integruar hekurudhor nuk është më vetëm një çështje komoditeti, por një domosdoshmëri strategjike për të ardhmen e qëndrueshme të Evropës,” – thekson grupi i ekspertëve.

I konceptuar si një metro kontinentale, “Starline” synon të ndryshojë mënyrën se si evropianët e perceptojnë territorin e tyre – jo si një koleksion kryeqytetesh të largëta, por si një rrjet të lidhur ku lëvizja e shpejtë e njerëzve dhe mallrave bëhet më e thjeshtë se kurrë. Plani ambicioz parashikon që rrjeti të jetë funksional deri në vitin 2040, por sa realist është ky vizion?

Nuk ka dyshim se një sistem hekurudhor pan-evropian do të ishte jashtëzakonisht i preferuar nga udhëtarët. Me një gjatësi prej 22,000 kilometrash, rrjeti i ri pritet të jetë rreth 30% më i shpejtë se udhëtimet rrugore dhe hekurudhore aktuale, me trena që do të arrijnë shpejtësi nga 300 deri në 400 km/h.

Kjo do të thotë se, për shembull, një udhëtim nga Helsinki në Berlin do të zgjasë pak më shumë se 5 orë, në vend të një dite të tërë që kërkohet aktualisht. Përveç shpejtësisë, projektuesit kanë menduar edhe për komoditetin: vagonët nuk do të ndahen sipas klasave tradicionale, por do të kenë hapësira të përshtatura për nevoja të ndryshme, si zona të qeta për punë dhe seksione miqësore për familjet.

Trenat do të ndalen në stacione të reja, të ndërtuara jashtë qyteteve të mëdha, me lidhje të drejtpërdrejta me sistemet ekzistuese të transportit urban.