Saimir Demi, një nga zërat më karakteristikë të gazetarisë sportive shqiptare, është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 57-vjeçare.

Lajmi i hidhur është konfirmuar nga vëllai i tij, Enkel Demi, i cili me fjalë të thjeshta, por të ngarkuara me dhimbje, shkroi:

“Nuk është e lehtë, por duhet bërë ky njoftim. Vëllai im i vetëm, Saimiri iku tek Hyji sot në mesditë.

I vetmi ngushëllim është që nuk vuajti dhe qe i rrethuar nga përkujdesi i mjekëve të Spitalit Infektiv dhe njerëzit e tij të zemrës.

Pasdite do jemi tek selia e Alba 2000 tek ish Ambasada Jugosllave në Rrugën e Durrësit.

Nesër në orën 12.00 do të bëhen homazhe në hollin e RTSH. Prej andej, në orën 14.00 do të çojmë Saimirin në banesën e fundit në Sharrë”.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Enkel Demi (@enkel.demi)

Një jetë mes mikrofonit dhe pasionit për sportin, një rrugëtim që filloi në valët e Radio Televizionit Shqiptar dhe që u bë pjesë e kujtesës kolektive të gjithë atyre që rritën dashurinë për sportin përmes analizave dhe komenteve të tij. Një gazetar që nuk kërkonte protagonizëm, por që e bëri zanatin e tij një art.

Saimir Demi përfaqësonte atë brez të gazetarëve që e jetonin sportin me përulësi dhe pasion të vërtetë.