Në një industri ku rinia dhe perfeksioni shiten si monedha të forta, Robert Berisha nuk e ka problem të flasë hapur për ndërhyrjet estetike. I ftuar në emisionin “Weekend”, këngëtari pranoi pa komplekse se ka qenë ndër të parët që ka eksperimentuar me Botox-in dhe nuk ka ndërmend të ndalet.

“Nuk kam pritur të dashurën për të bërë Botox,” tha ai me humor. “Vazhdoj ende… Dikur, meshkujt as që e mendonin, tani e gjithë shoqëria ime shkon. Para 5-6 vitesh, kur e pashë veten, mendova: a është më mirë ta lash fytyrën me ‘gërricje’ apo ta lustroj? Pse të mbaj pesë vija në ballë?”

Një filozofi estetike që, sipas tij, nuk përfshin imponimin. Ndërsa pranon se është i dhënë pas trajtimeve, Roberti thekson se nuk do t’ia kërkonte kurrë partneres të bënte ndërhyrje në fytyrë. “Nëse një burrë e kërkon dhe ajo e respekton atë burrë, ndoshta e bën. Edhe unë do ta bëja për partneren time. Por unë s’do ta kërkoja, sepse nëse nuk e ka qejf vetë, s’ka kuptim.”

Ka vetëm një sugjerim që do të bënte për pamjen fizike të partneres: humbjen e peshës, por jo për estetikë, për shëndet. “Nuk është vështirë t’i thuash një njeriu që e do: bëje për veten tënde.”