Kanye West ka shpërthyer sërish ndaj Kim Kardashian dhe familjes së saj, duke i akuzuar për kufizimin e të drejtave të tij prindërore mbi katër fëmijët e tyre. Në një sërë postimesh të publikuara në platformën X të shtunën, reperi i njohur ka ngritur akuza të forta ndaj Kim dhe kompanive të mëdha si Hulu dhe Disney.
“Po, kam probleme me njerëzit që më ngrinë llogaritë, më morën fëmijët dhe tentuan të më fusin në burg, DHE KJO S’MË LARGOHET NGA MENDJA,” shkroi ai.
Në një tjetër postim, fituesi i çmimeve Grammy deklaroi:
“Nuk dua thjesht të ‘shoh’ fëmijët e mi. Kam nevojë t’i rris ata. Kam nevojë të kem fjalën e fundit për shkollën ku shkojnë, për shoqërinë që mbajnë, për shtëpitë ku kalojnë natën, për faktin nëse vajzat e mia vendosin buzëkuq apo parfum.”
Ai akuzoi Kardashianët, Hulu-n dhe Disney-n për një axhendë më të gjerë që, sipas tij, përdor fëmijët e përzgjedhur me kujdes për të ndikuar te komuniteti me ngjyrë.
“Të gjitha këto të drejta më janë marrë nga mafia Kardashian, Hulu, Disney dhe nga axhenda e madhe që përdor fëmijët me ngjyrë të selektuar për të ndikuar te njerëzit me ngjyrë,” shkroi ai.
West, 47 vjeç, krahasoi takimet me fëmijët e tij – North (11 vjeç), Saint (9 vjeç), Chicago (7 vjeç) dhe Psalm (5 vjeç) – me një vizitë në burg.“T’i shoh fëmijët e mi është si të jem në vizitë në burg,” theksoi ai.
Në një postim tjetër, ai shpërtheu ndaj figurave të njohura të Hollywood-it që, sipas tij, mbështesin një sistem të padrejtë.
Përplasja për këngën e North-it dhe Diddy-n
Shpërthimi i West vjen vetëm disa orë pasi ai akuzoi Kardashian-in për përpjekjet e saj për të bllokuar publikimin e një kënge të re, ku përfshihet edhe vajza e tyre North.
Kënga, e titulluar “Lonely Roads Still Go to Sunshine”, është një bashkëpunim me reperin Sean “Diddy” Combs, i cili ndodhet aktualisht në burg, i akuzuar për trafikim seksual dhe përballë dhjetëra padive për sjellje të pahijshme dhe veprimtari të tjera të paligjshme.
West ndau një bisedë të ashpër me Kardashian-in, ku ajo i kërkonte të mos e përfshinte North-in në këtë projekt.
“Nuk do të flas më kurrë me ty,” i shkroi ai, ndërsa Kardashian u përgjigj:
“Të pyeta nëse mund ta regjistroja si markë emrin e saj. Ti pranove. Kur të bëhet 18 vjeç, marka kalon tek ajo. Kështu që ndalo. Kam dërguar dokumentet që të mos jetë pjesë e këngës me Diddy-n, për ta mbrojtur.”
West u përgjigj ashpër, duke kërcënuar se do të shpallte “luftë” nëse ajo nuk e ndryshonte këtë vendim.
“Asnjëri prej nesh nuk do të dalë i paprekur nga ky skandal publik. Do të duhet të më vrasësh,” shkroi ai.
Reagimi i Kim Kardashian
Një burim pranë Page Six tha se “Prioriteti i Kim është mirëqenia dhe siguria e fëmijëve të saj. Ajo dëshiron t’i mbrojë ata nga sjellja kontroverse e Kanye-t.”
Ndërkohë, TMZ raportoi se Kim nuk dëshiron që vajza e saj të ketë lidhje me Diddy-n, për shkak të akuzave të rënda që ai përballet aktualisht. Reperi 55-vjeçar ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar pafajësinë e tij.
Kardashian dhe West u martuan në vitin 2014 dhe finalizuan divorcin në vitin 2022.