TikTok do të mbyllet në Shqipëri ditën e nesërme, ndërsa sipas shifrave, përdoruesit shqiptarë në këtë aplikacion, llogariten në 1.5 milion.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në bashkëpunim me Agjencinë e Komunikimeve Elektronike, i kanë kërkuar kompanive të internetit, të marrin masa për bllokimin e aksesit në TikTok në territorin shqiptar. Konkretisht, kompanitë e internetit duhet të bllokojnë IP e TikTok në Shqipëri.
Vendimi për mbylljen e TikTok u mor pak ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku u caktua mbyllja e aplikacionit për një afat 1-vjeçar, me argumentin se nxit dhunë tek të miturit. Ndërkohë ky vendim është kundërshtuar nga Opozita e cila ka thirrur një protestë më 15 Mars për të kundërshtuar mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri.
"Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë 10.03.2025 (administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme:
1. Bllokimi i IP-ve të Tik Tok në territorin e Shqipërisë.
2. Bllokimi i DNS-ve te TikTok në territorin e Shqipërisë,
3. Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të Tik Tok në territorin e Shqipërisë.
4. Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.
Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.
Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 "Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 "Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm", çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK.
Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së dhe kërkojmë nga secili sipërmarrës (ISP), konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesir IP-ve dhe donjaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025", thuhet në dokument.
Dy ditë më pas, më 15 mars, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër vendimit të qeverisë për të bllokuar TikTok, masë që u ndërmor për sigurinë e fëmijëve, ndërsa platforma pritet të rihapet sërish në momentin e parë që kompania do të garantojë filtra për të mbrojtur të rinjtë nga videot me mesazhe dhune.