Fëmijët e mëdhenj të David Beckham tashmë kanë nisur rrugën e tyre të pavarur, por për legjendën e futbollit, ky kapitull i ri i jetës si baba nuk ka qenë i lehtë. Në një intervistë për Men’s Health, ish-futbollisti, që më 2 maj mbush 50 vjeç, rrëfeu se kjo periudhë po i shkakton një ndjesi “të dhimbshme”:

“Nga katër fëmijë në shtëpi, tani kemi mbetur me vetëm një. Të gjithë e dinë që jam maniak i rregullit. Më pëlqen gjithçka e sistemuar, e organizuar dhe nuk e duroj dot rrëmujën. Por kur ke fëmijë, rrëmuja është pjesë e jetës. Do të doja shumë të hyja në dhomat e tyre dhe të shihja peshqirët e lagur mbi dysheme. Më mungon! Çfarë nuk do jepja për ta përjetuar sërish atë ndjesi, pa u ankuar këtë herë…”

Beckham po përjeton atë që njihet si “sindroma e folesë së zbrazët”, një fazë emocionale që prek prindërit kur fëmijët largohen nga shtëpia për të nisur një kapitull të ri të jetës së tyre. Kjo ndjenjë e boshllëkut nuk kursen askënd – edhe yjet e Hollywood-it e kanë përjetuar.

Si e përballoi Gwyneth Paltrow largimin e fëmijëve nga shtëpia?

Aktorja Gwyneth Paltrow, e cila kaloi të njëjtën situatë kur fëmijët e saj, Apple dhe Moses, u larguan për në universitet, zgjodhi një qasje krejt tjetër. Në një diskutim të organizuar nga marka e saj e wellness-it, Goop, ajo ndau një këndvështrim të pazakontë mbi këtë përvojë:

“Në vend që ta shoh si një folé bosh, po përpiqem ta konsideroj veten një zog të lirë. Në vend që të fokusohem te humbja, po mendoj për lirinë.”

Një mënyrë e tillë e të menduarit mund të jetë një frymëzim për shumë prindër që ndihen të humbur pasi fëmijët largohen nga shtëpia.

Çfarë është “sindroma e folesë së zbrazët” dhe si ta kthejmë dhimbjen në mundësi

Psikologia Elena Benvenuti shpjegon se sindroma e folesë së zbrazët është një gjendje emocionale që prek shumë prindër kur fëmijët e tyre nisin jetën e pavarur, zakonisht duke u larguar për studime apo punë. “Kjo mund të sjellë ndjenja trishtimi, vetmie dhe madje, në disa raste, depresion. Identiteti i prindërve shpesh është i lidhur ngushtë me rolin e tyre si kujdestarë, dhe kur kjo përgjegjësi zvogëlohet, ata ndihen të humbur,” thotë ajo.

Megjithatë, qasja e Gwyneth Paltrow mund të jetë një mënyrë e shëndetshme për ta përballuar këtë ndryshim. “Në vend që të përqendrohet tek mungesa e fëmijëve, ajo zgjedh të shohë këtë periudhë si një mundësi për të rizbuluar veten, për të eksploruar pasione të reja dhe për t’u fokusuar në marrëdhëniet personale. Kur foleja zbrazet, është momenti që prindërit të investojnë tek vetja dhe të rizbulojnë dinamikën e tyre si çift,” shton psikologia.

Ndaj, edhe pse sindroma e folesë së zbrazët mund të jetë e dhimbshme, ajo mund të shndërrohet në një kapitull të ri për prindërit – një mundësi për të gjetur lumturi dhe kuptim përtej rolit të tyre si kujdestarë.

Një mësim i vlefshëm për të gjithë, përfshirë edhe David Beckham.