Justin Bieber është sërish në shënjestër, edhe pse është e vështirë të gjesh një periudhë në jetën e tij, që nga adoleshenva, kur figura e tij të mos ketë qenë objekt i paparacëve, mediave ose gjykimeve në rrjetet sociale. Këtë herë, 30-vjeçari është në qendër të diskutimeve në internet — dhe jo, kësaj radhe nuk ka të bëjë as me muzikën dhe as me martesën e tij me Hailey Bieber, por me hipotezën denigruese se ai nuk është mirë dhe se mund të ketë rënë sërish në varësinë nga droga. Nga se lindin këto spekulime? Nga disa imazhe ku ai shfaqet me një fytyrë të lodhur, të alternuara me të tjera ku duket sikur buzëqesh me zor ose lëviz në mënyrë të sikletshme.
Justin Bieber ka qenë shumë i hapur në të kaluarën për problemet e tij dhe ka folur sinqerisht për varësinë, duke rrëfyer madje se ndonjëherë truprojat e tij detyroheshin t’i kontrollonin pulsin për t’u siguruar që ishte ende gjallë. “Kisha gjithçka, por isha i trishtuar dhe me probleme të pazgjidhura,” kishte deklaruar ai, duke pranuar se substancat ishin bërë një arratisje e rrezikshme për të.
Bieber kishte pohuar se ishte esëll që nga viti 2014 dhe kishte përpjekur të rimerrte në dorë jetën e tij, duke i dhënë përparësi shëndetit mendor, duke frenuar ritmet e ethshme të punës që kishte mbajtur deri në atë moment, duke iu afruar besimit fetar, duke u martuar me Hailey në vitin 2018 dhe duke mirëpritur fëmijën e tyre të parë, Jack Blues Bieber, në vitin 2024.
Sot, shumica e paraqitjeve të tij publike lidhen kryesisht me ndonjë event për të mbështetur markën e bukurisë së gruas së tij ose, më së fundmi, me pasionin e tij për sportin e zemrës: hokejin. Ndeshja e fundit ku ai mori pjesë ishte një event bamirësie për fondin e ndihmës për zjarret në Los Angeles, dhe ai ka pranuar se mezi pret të ndajë këtë pasion me të birin dhe ta shohë atë, sapo të ketë mundësi, mbi akull.
Megjithatë, mjaftojnë disa paraqitje dhe ndonjë foto e rrëmbyer për të ndezur polemika. Disa mendojnë se sjellja e tij është e çuditshme dhe e lidhin këtë me një rikthim në varësinë nga droga; të tjerë e lidhin me përfshirjen e tij të supozuar në çështjen “Diddy” (ku ai dyshohet se ka qenë një viktimë); disa të tjerë aludojnë për një pakënaqësi të mundshme në martesën e tij — një thashethem që përsëritet çdo disa muaj, por që deri tani duket se nuk bën gjë tjetër veçse forcon çiftin. Nuk mungojnë as ata që ende përmendin marrëdhënien e tij të dikurshme me Selena Gomez, duke spekuluar se lajmi i fejesës së saj me producentin Benny Blanco mund të ketë tronditur ekuilibrin emocional të Bieber-it. Pavarësisht se historia e tyre e dashurisë, e njohur si “Jelena”, është mbyllur prej vitesh, dhe Bieber është tashmë prej kohësh i martuar dhe tani edhe baba, interneti duket se nuk heq dorë nga fantazmat e së shkuarës.
Në këtë stuhi thashethemesh dhe spekulimesh, përfaqësuesit e popstarit nuk kanë qëndruar në heshtje. Ata kanë nxituar të hedhin poshtë këto versione, veçanërisht ato që lidhen me shëndetin e tij, duke publikuar një deklaratë në disa media ndërkombëtare: “Justin është mirë dhe viti i fundit ka qenë një periudhë ndryshimesh të mëdha për të. Ai ka mbyllur disa miqësi të ngushta dhe marrëdhënie profesionale që nuk kishin më kuptim. Aktualisht, ai po fokusohet tek të qenit prind, tek muzika dhe kujdesi për veten. Obsesioni i publikut për shëndetin e tij mendor dhe fizik është rraskapitës dhe i trishtë, dhe tregon se, pavarësisht të vërtetës së dukshme, njerëzit janë ende të prirur të mbajnë gjallë narrativa negative dhe të dëmshme.”
Në mes të gjithë kësaj, ajo që mbetet e qartë është se Justin Bieber po përpiqet të jetojë një jetë larg skandaleve, i përqendruar tek familja, pasionet dhe një rikthim i mundshëm në muzikë. Dhe, si çdo njeri tjetër, ai meriton të ketë hapësirën dhe qetësinë për të jetuar këtë kapitull të ri të jetës së tij, larg syrit kritik të një publiku që duket se nuk lodhet kurrë së kërkuari sensacione.