Janë fjalë që vijnë me një peshë që të trishton, me një dhimbje që s’e përshkruan dot, por edhe me një forcë të heshtur që vetëm dashuria mund ta japë. Në intervistën e saj të fundit, Edlira Çepani ka ndarë ndoshta momentin më të vështirë të jetës së saj: si u dha lajmin e humbjes së bashkëshortit të saj, Gerti Bogdanit, dy fëmijëve të tyre.

“Ishte një nga momentet më të vështira në jetë. Nuk ka fjalë që e përshkruan dhimbjen dhe nuk ka fjalë sesi t’ia shpjegosh një fëmije një situatë të tillë. Fati i tyre është se ata janë rritur në një familje që i ka dhënë aq shumë dashuri. Me një baba…me dy prindër që u kanë dhënë aq shumë dashuri që e kanë të rrënjosur në zemër për gjithë jetën. Një mungesë kaq e madhe nuk do të plotësohet kurrë.” thotë ajo, me një qetësi që fsheh furtunën brenda saj. Dhe ndoshta, pikërisht këtu qëndron fuqia e saj, në aftësinë për të mbajtur të pandryshuar atë dashuri që ajo dhe Gerti ndërtonin së bashku.

Fëmijët e tyre janë dëshmia më e bukur e kësaj dashurie. “Janë fryti më i bukur i dashurisë tonë, dhe unë sa herë shoh fëmijët në sy, unë aty shoh Gertin. Kam një fat kaq të madh që jam mamaja e tyre,” thotë Edlira.