Nga ajo që dikur ishte një histori dashurie mes Feros dhe Arbenita Ismajlit, sot kanë mbetur vetëm kujtimet dhe një vajzë, Nina. Por ish-reperi, i kthyer në një figurë që gjithnjë e më shumë shfaqet përmes reflektimit shpirtëror pasi hoqi dorë nga muzika, ka vendosur të hapë një kapitull të ri në jetën e tij: një martesë e dytë, plot mister por plot dashuri.

Fotot e publikuara nga vetë Fero në rrjetet sociale na ofruan vetëm fragmente të këtij momenti të rëndësishëm. Një ceremoni intime, një raport që ruhet me xhelozi larg syve kureshtarë dhe një zeshkane, portreti i së cilës ende qëndron në hije. Një zgjedhje që ndoshta flet për një nevojë për paqe dhe privatësi, pas një periudhe të gjatë të jetës në qendër të vëmendjes.

“Mjaft na shqetësuat”, shkroi Fero, me një shaka që fsheh ndoshta një të vërtetë: nevojën për të mbrojtur këtë histori nga zhurma e botës virtuale. Dhe ndërsa reperi na ka treguar se i ka dhënë fund beqarisë, mbetet pyetja: kush është ajo? 

Dikur një figurë rebele e skenës shqiptare, sot ai prezantohet si një njeri që ka gjetur qetësinë në fe dhe dashuri. “Jam i dashuruar si kurrë më parë”, thotë ai, një deklaratë që vjen me pasionin tipik të dikujt që nuk ka frikë të tregojë ndjenjat e tij. Dhe, si gjithmonë, me një dozë vetëbesimi që nuk i ka munguar kurrë: “Askush nuk është më romantik se unë”.

Kjo martesë e dytë është ndoshta një rikrijim për Feron, një përpjekje për të ndërtuar diçka të re mbi themelet e një vetëdije të ndryshme. Dhe ndërsa identiteti i partneres së tij mbetet një mister, ajo që është e qartë është se Fero është gati të sfidojë të gjithë, këtë herë, jo me “disse” muzikore, por me romantizëm.

E ndoshta, kjo është sfida më e bukur që ai ka bërë ndonjëherë.