Jesus Guerrero, stilisti i njohur i flokëve i cili ka punuar me yje si Kylie Jenner, Katy Perry dhe Jennifer Lopez, ka ndërruar jetë. Lajmi u konfirmua më 22 shkurt nga motra e tij, Gris Guerrero, e cila krijoi një faqe GoFundMe për të ndihmuar me shpenzimet e kthimit të tij në shtëpi në Houston, Teksas. Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.

“Me zemër të rënduar, ju njoftojmë se Jesus Guerrero ka shkuar në parajsë. Ai ishte një djalë, vëlla, xhaxha, artist, mik dhe shumë më tepër,” shkroi Gris.

Gjatë karrierës së tij, Guerrero ka krijuar stile ikonike për shumë personazhe të famshme të Hollywood-it dhe ka qenë një figurë shumë e dashur në industrinë e bukurisë.

Një nga mikeshat e tij të ngushta ka qenë edhe këngëtarja shqiptare Anxhelina Hadergjonaj. Ajo ka ndarë një homazh emocional për të në Instagram, duke shprehur dhimbjen dhe tronditjen e saj për humbjen e papritur.

“Ky është një makth nga i cili shpresoj të zgjohem çdo moment… Ti ishe një njeri i jashtëzakonshëm, plot pasion dhe dashuri. Zemra ime është kaq e rënduar dhe ndihem e humbur duke u përpjekur t’i jap kuptim kësaj,” shkroi Anxhelina.

Humbja e Jesus Guerrero ka prekur shumë njerëz, duke përfshirë fansat dhe miqtë e tij, të cilët kanë shpërndarë mesazhe ngushëllimi dhe dashurie në rrjetet sociale.