Vatikani ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e Papa Françeskut është përkeqësuar ndjeshëm. Ati i Shenjtë ka kryer një transfuzion gjaku pas një krize të zgjatur të frymëmarrjes astmatike, ndërsa testet mjekësore kanë zbuluar trombocitopeni – një gjendje që shoqërohet me anemi, duke përkeqësuar më tej situatën e tij.
Aktualisht, Papa Françesku po trajtohet për pneumoni bilaterale në spitalin Gemelli të Romës. Ai u shtrua në këtë spital më 14 shkurt pas disa ditësh me vështirësi në frymëmarrje. Për shkak të gjendjes së tij, Ati i Shenjtë nuk do të paraqitet për të udhëhequr lutjet me pelegrinët të dielën, duke munguar kështu për të dytën javë radhazi.
Edhe pse mjekët theksuan se shëndeti i tij është i dobësuar, ata siguruan se jeta e Papës aktualisht nuk është në rrezik të menjëhershëm. Megjithatë, ai pritet të qëndrojë në spital për të paktën edhe një javë tjetër.
Shqetësimi për gjendjen e tij shëndetësore është rritur në mbarë botën, ndërsa spekulimet për një dorëheqje të mundshme kanë marrë hov, edhe pse Vatikani nuk ka dhënë asnjë koment mbi këtë çështje.