Përballë Monakos në Champions League, Simone Inzagi dhe skuadra e Interit do të duhet të vazhdojnë pa Françesko Açerbin dhe Hakan Çalhanoglunë. Kjo është sfida e fundit e fazës në grup, ku zikaltërve u nevojitet vetëm një pikë për të siguruar kualifikimin.
Trajneri Inzagi ka konfirmuar se as mbrojtësi qëndror dhe as mesfushori turk nuk do të jenë të gatshëm për këtë ndeshje. Të dy lojtarët vazhdojnë të punojnë veçmas dhe, me vetëm 48 orë larg sfidës kundër francezëve, rikthimi i tyre as në pankinë duket i pamundur.
Ndërsa për Açerbin situata mbetet e paqartë për një rikthim të afërt, për Çalhanoglunë qëllimi kryesor është që të jetë gati për derbin kundër Milanit të dielën. Stafi mjekësor dhe teknik ka zgjedhur një qasje të kujdesshme për të evituar çdo rrezik dhe është duke e menaxhuar situatën hap pas hapi.
Ndërkohë, skuadra e Interit ka zhvilluar një tjetër seancë stërvitore dje, duke u përgatitur për sfidën ndaj Monakos. Lojtarët që luajtën kundër Leçes janë trajnuar me intensitet të ulët, ndërsa dilemat e Inzagit mbeten për mesfushën.
Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares shqiptare, duket më i avantazhuar për të nisur si titullar, pasi nuk u aktivizua në kampionat. Trajneri Inzagi e ka vlerësuar maksimalisht performancën e tij dhe ka pranuar se mendonte ta aktivizonte edhe ndaj Leçes. Në mbrojtje, Pavard pritet të rikthehet në qendër, ndërsa në krahun e majtë do të luajë Dimarko. Në sulm, dyshja Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram do të udhëheqin ekipin në këtë sfidë të rëndësishme.
Interi synon jo vetëm kualifikimin, por edhe përforcimin e statusit si një nga favoritët e këtij sezoni në Champions League.