Përtej dritave vezulluese të fushës së blertë, në jetën e Jasir Asanit ekziston një rrëfim tjetër, ai që i kapërcen kufijtë e fushës dhe qëndron i skalitur në zemrën e tij. Është një përrallë dashurie, shoqërie dhe ëndrrash të përbashkëta. Në numrin tonë të fundit, kemi kënaqësinë të shpalosim këtë histori kaq të bukur, të yllit të Kombëtares dhe partneres së tij, Giota. Ndaj ju ftojmë të bashkoheni me ne në një udhëtim nëpër territoret e paeksploruara të zemrave të tyre.
Për herë të parë Jasir Asani dhe partnerja e tij hapin dyert e botës së tyre private, duke na ftuar të dëshmojmë magjinë e historisë së tyre të dashurisë. Larg zhurmës së stadiumit dhe blicit të kamerave, historia e tyre është një përrallë e dy shpirtrave që gjejnë ngushëllim në përqafimin e njëri-tjetrit, duke pikturuar një portret të dashurisë në formën e saj më të pastër. Në paraqitjen e tyre të parë mediatike së bashku, ata ndajnë me ne detajet intime të romancës së tyre.
Përtej nëntëdhjetë minutave të një ndeshje futbolli shtrihet një botë ku koha ndalon dhe dashuria nuk njeh kufij. Ndërsa bilbili për fundin e lojës bie dhe brohorimat e tifozëve zbehen, Jasiri dhe partneri i tij e gjejnë veten në një lloj loje tjetër – një lojë ku mbizotëron dashuria, përkushtimi dhe mbështetja e palëkundur.
Si e gjetët njeri-tjetrin ju të dy?
Giota: Dikur kam pasur një Instagram publik dhe Jasiri më ndiqte aty. Nuk e dija deri sa një ditë ai vendosi të më shkruajë dhe pse dëshira ime nuk ishte për t’iu përgjigjur. Mirëpo, ai nuk hoqi dorë dhe pse unë mendoja shpesh mos t’i ktheja më përgjigje.
Jasir: Unë isha në Hungari dhe po rrija në Instagram si zakonisht, kur e pashë rastësisht dhe më pëlqeu direkt. I thashë vetes: “Kjo vajzë do jetë e imja.” Buzëqeshja dhe bukura e saj ma morën direkt zemrën.
Kur e kuptove se e doje?
Giota: Të të them fiks se kur e kuptova që e doja, s’di të them, por çdo gjë ka ardhur rrjedhshëm, avash-avash në kohën e duhur. Ajo që dua të theksoj është se distanca të bën të lidhesh shumë me njëri-tjetrin.
Jasir: Dita-ditë pasi folëm me njëri-tjetrin e kuptova që më pëlqen shumë, fillova duke menduar çdo ditë për të. Mendoja “A do më kthejë më përgjigje?” sepse ishte fillimi. Dhe kur filluam të flisnim çdo ditë kisha dëshirë ta njihja akoma më shumë.
Cila është vështirësia më e madhe që keni hasur në lidhjen në distancë?
Giota: Vështirësi kemi pasur vetëm pak orarin sepse atje është 8 orë para nga orari që ne kemi dhe ka qenë një pengesë e vogël për ne, por jemi mësuar tani nuk e kemi më problem fare.
Jasir: Normal distanca është pak e vështirë, por gjithesi për ne jo aq shumë sepse ne flasim çdo sekondë bashkë dhe kemi bërë që distanca mos të ndjehet fare duke komunikuar çdo moment me njëri-tjetrin.
E njihje Jasirin para se të të shkruante? Si është lidhja me një futbollist, aq e bukur sa shohim në mediat sociale?
Giota: Po, e njihja kur ka luajtur me ekipin e Partizanit dhe unë shkoja shikoja ndeshjet se kam qenë tifoze me Tiranën. Lidhja me një futbollist është po aq e bukur por, dhe pak e vështirë në të njëjtën kohë.
Çfarë ndjen kur e sheh në fushë? Kur shënon?
Giota: Ndjej një emocion që nuk përshkruhet dot me fjalë… njeriu më i lumtur në botë.
“E bukur si golat e Jasir Asanit” është një nga komplimentet më të përdorura muajit e fundit…
Giota:…Epo në fakt unë jam goli më i bukur që ai ka shënuar në jetën e tij. (qeshin)
Cila është karakteristika që ju pëlqejnë më shumë dhe karakteristika që ju pëlqen më pak te njëri-tjetri?
Giota: Gjëja që më pëlqen më shumë tek Jasiri është qetësia që ai ka në çdo situatë. Ndërsa gjëra që nuk na pëlqejnë tek njëri-tjetri nuk kemi. Mendoj se kemi gjetur gjuhën e përbashkët dhe plotësojmë nga pak njëri-tjetrin.
Jasir: Gjithçka. Është pak nervoze, bëhet direkt me nerva dhe më duhet kohë ta qetësoj(qesh) por, unë e njoh dhe di si ta qetësoj. I them që çdo gjë duhet ta marim me qetësi.
Çfarë të tha nëna kur i rrëfeve për “çikën e Tiranës”?
Jasir: Zakonsht si çdo nënë pyeti “Si është goca? Nga është, a është e mirë familja?” Pasi mori vesh gjithçka dhe e njohu tani e do nusen më shumë se mua. (qesh)
Po një dhëndër Shkupi si pritet nga një familje tironse?
Giota: Një dhëndër Shkupi në një familje tironse pritet ashtu siç ne e kemi traditë. Di të them që familja ime ka filluar të dojë Jasirin më shumë se mua. Madje, gjatë ditës më shumë shkruajnë me të sesa me mua. (qesh) Në fakt jo vetëm Jasiri është pritur mirë nga familja ime, por dhe unë nga familja e Jasirit jam pritur shumë mirë dhe kam një marrëdhënie shumë të mirë. Për çdo gjë më shumë flas me ato sesa me Jasirin. (qesh)
Kush është me xhelozi dhe si i menaxhoni “zënkat”?
Giota: Më xheloze jam unë. Jo se Jasiri nuk është, por unë e shpreh pak më shumë. Zënkat i menaxhojmë shumë thjesht. Të jetë për mua i zgjas goxha, por siç e thashë Jasiri ka një tip shumë të qetë, qesh në çdo situatë. Dhe tani që ai më njeh mirë sa ta shikojë që unë filloj me ndonjë ‘dramë’, thotë ndonjë histori për të qeshur dhe di shpejt të dalë nga situata.
Jasir: Normal që Giota është më shumë xheloze, edhe e shpreh më shumë. Ma ha shpirtin për çdo gjë (qesh). Por, unë e kuptoj dhe e dua shumë që është xheloze. Më pëlqen kur nervozohet.
Po më romantiku?
Giota: Jasirin kur e kam njohur në fillim e kuptova që nuk e ka për tip të jetë romantik sidomos të bëjë gjëra romantike në publik. As unë nuk i kam qejf, në fakt. Dua privatësinë tonë, mjafton të ma tregojë me vepra çdo ditë sa më do dhe vlerëson.
Si e thërrisni njëri-tjetrrin?
Jasiri: Zakonisht ne e thërrasim njëri-tjetrin "Jetë".
A është martesa në planet tuaja? Të është ulur në gjunjë apo ende?
Giota: Po, martesa është në planet tona, por për momentin të dy kemi disa gjëra për të përfunduar. Gjithsesi, nuk besoj se do ndodhë shumë vonë.
Kur të vijë momenti do t’a themi.
Sa fëmijë ëndërroni të keni?
Giota: Ne ëndërojmë për një familje të madhe. Duam 2-3 fëmijë.
Jasir, jemi në prag të Euro 2024. Cilat janë pritshmëritë e tua?
Jasir: Duhet të përgatitemi fort për të bërë tifozët tanë krenarë. Duhet të bëjmë të gjithë një lojë të bukur dhe pse jo të kalojmë grupin. Kemi ekip shumë të mirë dhe do japim shpirtin në fushë.
Diskutohet shumë për të ardhmen tënd, ke marrë një vendim apo pret pas Europianit?
Jasir: Normal pas Europianit dua të vijë afër Europës qe të jem më afër familjes, por gjithsesi do e lëmë për më vonë.
Një mesazh për tifozët kuqezi?
Jasir: Tifozët tanë janë më të mirët në botë. Kam luajtur në skuadra të mira që kanë shumë tifozë, por tifozët shqiptarë janë më të mirët në të gjithë botën.
Si e shihni të ardhmen tuaj pas 10 vitesh?
Giota: Të ardhmen mbas disa viteve e shoh me një familje të madhe dhe të lumtur.
Jasir: E mendoj te ardhmen te kem një familje të madhe me shumë fëmijë.
Thuaji diçka partnerit që s’ia ke thënë kurrë…
Giota: Çdo gjë ia kam thënë, por po ia them dhe publikisht: Do jem suportuesja më e madhe e jotja. Në çdo fazë të jetës që do kalojmë bashkë do jem afër teje gjithmonë. ??
Jasir: Unë jam jetën për Giotën. Ajo është dashuria e jetës sime dhe jam shumë i lumtur që kam afër meje një vajzë si ajo që di të më bëjë të lumtur.