Dirigjenti i mirënjohur Zhani Ciko do jetë pjesë e jurisë së X-Factor Albania. Si një prej profesionistëve më fisnikë dhe elegantë, me një karrierë të gjatë dhe dedikim ndaj muzikës, Ciko do gjykojë taletet e reja në ‘talent-shown’ më të madh në Shqipëri.
I konsideruar si një ndër artistët më fin të historisë së artit shqiptar, Maestro Zhani Ciko, është një nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare, ish-drejtor i suksesshëm i Teatrit të Operës dhe Baletit në Shqipëri, dirigjent i shumë veprave, drejtues për shumë vite i festivalit në 'Radio Televizionin Shqiptar', një nga emrat që u hapi dyert shumë artistëve nga Kosova në vitet e luftës, dhe i lidhur fort me Maqedoninë e Veriut.
Më 1989 ai u zgjodh Drejtor Artistik i Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar dhe njëherësh drejtonte të gjitha veprimtaritë më të rëndësishme muzikore të këtij institucioni, impenjim të cilin e ruajti deri në vitin 2003.
Në vitin 2003, ai u kthye nën drejtimin e TOB-it, pas 30 vitesh, ku nisi së pari reformimin e prodhimtarisë së këtij institucioni. Nga një institucion që kishte sjellë jo më shumë se tre tituj në vit, shumë shpejt premierat e tij do të shumëfishoheshin.
Zhani Ciko është i pari dirigjent shqiptar që ka drejtuar në stinën koncertore ndërkombëtare “Allegretto Albania” dhe më pas në atë “klasik” që organizohet çdo vit në Tiranë.
Në vitin 2005, ai u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”, titulli artistik më i lartë në vend.
Në vitin 2009, Ministria e Kulturës dhe Informacioni të Francës i akordon Medaljen e lartë “Chevalier des Arts et des lettres” dhe në vitin 2010, Akademia Ndërkombëtare “Imperialis” i dha titullin “Akademik i madh Imperialis”. Zhani Ciko është i pari shqiptar që gëzon këtë titull.
Për sa i takon atij, nuk ka qëllim tjetër, përveçse “të reflektojmë kohën dhe emocionin e së resë, situatat përreth nesh dhe gjërat që dimë t’i themi përmes artit që ka puna e secilit, gjëra që ndoshta miliona të tjerë nuk dinë t’i thonë. Mendoj se është pikërisht ky misioni i një artisti dhe, natyrisht, kush prej nesh është kaq fatlum, lë pa diskutim një trashëgimi të projektuar përtej çdo lloj kufiri, që vazhdon e mbijeton edhe kur nuk jemi më”.
Zhani Cikos i atashojnë tiparet e një karakteri të prerë, shumë ambicioz, kritik, gjithmonë në kërkim të perfeksionit, i papajtueshëm me asnjë formë neglizhence.