Për ata që nuk e dinë, Ledion Lico është producent i filmit "Në kuadër të dashurisë". I ftuar në 'Top Albania Radio' ai ka rrëfyer së fundmi detaje nga filmi, rreth skenarit, regjisë, organizimit dhe eksperiencës së tij si producent. 

Teksa tha se sipas tij ky është kasti më i mirë i mbledhur ndonjëherë për një film në Shqipëri të atij zhaneri, Ledioni shtoi se filmin do e shesin pikërisht dy protagonistët kryesorë: Luizin dhe Oltën

"Mendoj që Luizi me Oltën do ta shesin filmin, kjo është e pakundërshtueshme. Ato janë grepi për të sjellë njerëzit në kinema, por unë jam i bindur që njerëzit do dalin nga kinemaja jo vetëm me Luizin dhe Oltën. Skenarin unë e kam parë në disa faza dhe e kemi ndryshuar me Kolon. Skenarin unë e kam lexuar një vit e gjysmë më herët. Më ka pëlqyer për faktin që më ka bërë për të qeshur me lexim të parë dhe kam qeshur mbi 3 herë."

Por cili është qëllimi përfundimtar i "Në Kuadër të Dashurisë" dhe çfarë do të konsiderohej sukses sipas Ledionit? Producenti përgjigjet kështu:

"Filmi komedi është i pakonsiderueshëm për festivalet. Mund të jenë si shfaqje jashtë konkurrimit nëpër festivale, por kjo për ne është diçka që nuk përbën interes. Ajo që ne duam të bëjmë është që filmi të jetë në sa më shumë salla kinemaje në të gjithë botën ku ka më shumë shqiptarë. Po punojmë që të jemi në shumë salla në Amerikë, në Britaninë e Madhe, në Zvicër dhe në Itali."