Javët e fundit po rritet gjithnjë e më shume trendi i të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë. Një gjë të tillë e evidentojnë edhe mjekët e familjes në poliklinika dhe grupmoshat janë të ndryshme, por të rinjtë janë më dominues.

Varianti BA.5 sipas specialistëve po tregohet më agresiv se variantet e tjera të Omicron dhe shfaq temperaturë të lartë mbi 5 ditë dhe nuk ka një simptomatikë të lehtë.

Mjekët bëjnë thirrje për vaksinim për të qenë sa më të mbrojtur, e veçanërisht doza përforcuese është e rëndësishme.

Pikërisht për shkak të përhapjes së variantit BA.5, Britania po shqyrton mundësinë e rivendosjes së kufizimeve. Mediat britanike citojnë zyrtarë të lartë të Departamentit të Shëndetësisë, të cilët thonë se kufizimet mund të rivendosen për të frenuar dyndjet e pacientëve në spitale që mund të çojnë në kolaps repartet e terapisë intensive.

Shtrimet në spitale në Britaninë e Madhe, këto ditë arritën në nivelin më të lartë që pas prillit, kur u shënua edhe kulmi i valës së përhapjes së Omikronit. Rikthimi i maskave në ambiente të brendshme e të jashtme shihet si një prej masave të para që mund të rikthehen, e po ashtu edhe testimet me detyrim për hyrje në ambiente të ndryshme publike.

Tendencë rritjeje të infektimeve të reja me koronavirus ka në gjithë globin, por kryesisht në Europën që ndodhet në kulmin e sezonit turistik dhe ku masat anti-COVID në shumicën e vendeve janë hequr./tvklan