Ish-partnerja e Rob Kardashian, Blac Chyna është përballur në gjyq me familjen Kardashian-Jenner për pretendimet se familja kishte përdorur ndikimin e tyre për të anuluar shfaqjen që ajo dhe Rob planifikonin të realizonin në E!. Ajo kërkon 40 milionë dollarë dëmshpërblim për humbje të të ardhurave dhe më shumë se 60 milionë dollarë për fitime të ardhshme.

Yjet e “The Kardashians” i kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se thjesht donin të mbronin Robin nga një partnere abuzive.

Para gjykatës ditën e djeshme, Kris Jenner dëshmoi se ishte “traumatizuar” nga një moment kur Blac Chyna i drejtoi armën djalit të saj, Rob Kardashian.

"Ajo [Chyna] u përpoq t'i vinte një armë në kokë [Robit]," tha Kris, ndërsa ishte gati të shpërthente në lot, duke kujtuar më pas se në atë periudhë po kalonte vështirësi, duke qenë se Kim ishte grabitur në Paris. “Vajzën time, 60 ditë më parë, e futën në një vaskë, e grabitën me armë… Unë u traumatizova nga kjo. Vajza ime pothuajse u vra. Chyna tha se ishte një shaka… arma e drejtuar në kokën e djalit tim ishte një shaka. ... Unë u traumatizova ... dhe nuk është shaka."

Jenner pohoi gjithashtu se gjatë marrëdhënies së tyre, Rob dhe Chyna kanë qenë shpesh nën ndikimin e substancave narkotike.

Një tjetër dëshmi bombë që dha Kris Jenner në gjykatë ishte se Chyna kërcënoi një herë se do të vriste Kylie Jenner, gjatë kohës kur kjo e fundit ishte e lidhur me reperin Tyga. Kris shtoi se Tyga i tha asaj në shumë raste se Chyna dyshohet se u përpoq ta lëndonte fizikisht atë me thikë.

Chyna ka qenë e lidhur me Tyga-n nga viti 2011 deri në vitin 2014. Më pas ai u lidh me Kylie-n nga 2014-a deri në 2017-ën, ndërsa Chyna vazhdoi me Rob në 2016-ën.

Modelja ka një djalë 9-vjeçar, të quajtur King, me Tyga-n dhe një vajzë 5-vjeçare, Dream, me Rob.