Endri Prifti, këngëtari i njohur korçar ka denoncuar në emisionin investigativ “Stop” grabitjen e shtëpisë nga ana e ish-bashkëshortes, me ndihmën e institucioneve.

“Padrejtësisë, unë do ia gjej drejtësinë deri në fund dhe prandaj u drejtova tek emisioni juaj që godet padrejtësitë. Kisha një martesë, në 2007-ën, u martova për herë të dytë dhe blemë një shtëpi të cilën e vendosa në emër të gruas dhe pas 1 viti- 2 vitesh bëmë divorcin. Në gjyqin e divorcit të zgjidhjes së martesës, ne ramë dakord që ish-bashkëshortja të merrte të gjitha orenditë e shtëpisë dhe unë do të vazhdoja të paguaja kredinë për 12 vjet që kishin mbetur, a 11 sa ishin… Nga 500-600 euro çdo muaj, të cilën unë e vazhdova dhe e kreva për 11 vjet. Vitin e fundit me një manipulim, ish-bashkëshortja pagoi kesh diferencën që kishte mbetur. Rreth 13 mijë - 14 mijë euro”.

Endri tha se ai ka paguar pjesën më të madhe të lekëve:

"75 mijë euro. Çdo muaj, me emrin tim, me firmën time të gjitha këto. Por shtëpia, kur është blerë, ka qenë në emrin e bashkëshortes dhe të prindërve të saj.

Ne kemi qenë të martuar kur është blerë shtëpia me kredi. Kur vija të paguaja në bankë, se ka paguar dhe im vëlla, Stefi shumë për 2 vjet këste. Mbi 11 mijë euro ka paguar Stefi, i thoshim asaj drejtoreshës së bankës: “Moj, se këto para mos na ikin në ndonjë vend tjetër. “Nuk ka shanse që t’i marrë njeri tjetër kur ti firmos vetë dhe derdh vetë”. Për të drejtën nuk kam turp fare që të gjithë që shikoni këtu, unë dua që të shpallet e vërteta, nuk më vjen fare rëndë, sepse ndryshe do të thonë se ky është budalla po të mos thuash të vërtetën”.

Në Gjykatën e Korçës, “Stop” ka mësuar se çifti Endri Prifti dhe Anjeza Kolevica u ndanë në vitin 2010, ndërsa në vitin 2017 ish-bashkëshortët ishin në proces gjyqësor për përpjesëtimin e pasurisë. Në vitin 2019, gjyqtari Besnik Shehu nxori një vendim që apartamenti i çiftit që ishte në proces përpjesëtimi duhet të bllokohej në Kadastrën e Korçës dhe të mos tjetërsohej derisa të përfundonte procesi. Vendimi i gjyqtarit Besnik Shehut nuk u zbatua nga Kadastra e Korçës me pretendimin se nuk i kishte mbërritur shkresa, në një kohë që gjykata konfirmon të kundërtën. Lind pyetja se ku ka shkuar ky vendim dhe pse kjo pronë u tjetërsua nga ish-bashkëshortja e Endri Priftit.

Për pasojë apartamenti, që ishte në emër të ish-gruas, u shit prej saj 2 herë brenda 1 muaji…