Në ‘Dhomën e Jonida Maliqit’, zbuloni detajet e programit që nis sonte
Jonida Maliqi nis rrugëtimin e ri në ekran

Jonida Maliqi është gati. Sonte nis në Vizion Plus programi për të cilin këngëtarja, së bashku me stafin e saj, ka nisur punën prej disa javësh. Disa nga surprizat dhe rubrikat që do të prezantohen sonte, Jonida i ka zbuluar për publikun edhe në "Vizionin e pasdites", e ftuar në studion e Evi Reçit.
Siç tha këngëtarja, çdo situatë në program do të përcillet me shumë vërtetësi. Madje, gjatë xhirimeve, janë ruajtur edhe “aksidentet” apo lapsuset, në mënyrë që gjithçka të duket ashtu siç ndodh në të vërtetë, reale.

“Jonida’s Room” nis sonte, në orën 19.45 në Vizion Plus
Jonida’s Room është një emision bazuar mbi fashion & lifestyle, i cili do të transmetohet një herë në javë në Vizion Plus. E ideuar në formën e një dhome, Jonida lidh me shikuesit një formë personale komunikimi për të ndarë shijet e saj mbi të bukurën, sugjerime dhe detaje nga jeta e saj e përditshme.
Emisioni do të jetë i ndarë në disa rubrika te tipit: Art, fashion, lifestyle, bukuri sport, teknologji, destinacione, arkitekturë.
Emisioni do të ngrihet mbi formën e një narracioni, ku Jonida brenda një dhome, ambienti, shtëpie, rrëfen përjerimet e saj mbi një temë të caktuar.

Dhoma e Jonidës do të mirëpresë gjithashtu edhe miq të saj, të cilët nuk do të vihen përballë një interviste klishe, por përballë një situate, sikundër veprojnë dy miq në shtëpi. Kësaj here në prani të kamerave.
Insertet e përgatitura përgjatë emisionit do të jenë format i shkurtër e dinamik, duke i dhënë në këtë mënyrë më shumë peshë specialistit të fushës, apo personazheve që i shikojmë ndryshe, larg asaj që jemi mësuar t’i shikojmë në media.
E konceptuar si një dhomë dhe me arredim të përshtatur si një shtëpi, Jonida vendoset në disa kënde të caktuara në varësi të tematikës që do të trajtojë.



