‘The Economist’, për yjet shqiptare: Çfarë kanë të përbashkët Dua Lipa, Rita Ora dhe Ava Max?

Prestigjiozja britanike “The Economist” u ka kushtuar një shkrim artisteve shqiptare që po pushtojnë botën në fushën e muzikës; Rita Ora, Ava Max dhe Rita Ora.
“Deri vonë, shqiptarët etnikë më të njohur ishin Nënë Tereza, dhe diktatori komunist Enver Hoxha. Tani shenjtores dhe mëkatarit duhet t’i shtohen edhe këngëtarët”,- e nis shkrimin e vet revista britanike.
Dua Lipa ka 55 milionë dëgjues në platformën muzikore Spotify, Bebe Rexha ka 24 milionë, Rita Ora ka pasur pesë hite në vend të parë në Britani dhe ka qenë mentore në ‘X Factor’. Era Istrefi këndoi në Kupën Botërore të futbollit në vitin 2018. Njomza Vitia, një këngëtare dhe kantautore, dhe Labinot Gashi, një reper, gjithashtu kanë audiencë globale.

Singëlli seksi i Ava Max, “Sweet but Psycho” konsiderohet botërisht më argëtuese sesa oferta letrare e Hoxhës: “Shqipëria sfidon revizionizmin e Hrushovit”.
Në vitin 2016, me një stil të pazakontë serioz, Rita Ora performoi në Romë për të festuar shenjtërimin e Nënë Terezës.
Të gjithë këta yje me origjinë shqiptare, përveç Era Istrefit, janë rritur në diasporë. Lipa, Max, Rexha dhe Vitia kanë lindur në Londër, Milluoki, Bruklin dhe Shtutgart. Vetëm Max ka rrënjë në Shqipëri, pjesa tjetër janë me origjinë nga Kosova, veç BeBe Rexhes, familja e së cilës vjen nga Maqedonia e Veriut.

Yjet e diasporës shpesh krenohen me përkatësinë kombëtare. Ata interpretojnë në shtëpi, duke u mbështjellë me flamuj kosovarë ose shqiptarë.
“Zemra ime rrjedh gjak shqiptar”,- tha Bebe Rexha gjatë një vizite në Shqipëri. Në korrik, Dua Lipa ndezi një debat, pasi postoi një hartë që lidhet me nacionalistët ekstremë shqiptarë, ku shfaqet Shqipëria e Madhe.

Prindërit e tyre u rritën jashtë vendit, pasi u larguan nga Ballkani në fillimet e trazirave të viteve ’90. Por nuk ishte gjithmonë një histori e të varfërve që bëhen të pasur. Familjet Ora dhe Lipa ishin pjesë e elitës në Kosovë. Të dy vajzat ndoqën një shkollë të njohur të arteve në Londër.
Yjet e muzikës pop, së bashku me një grup futbollistësh shqiptarë në skuadrat kryesore të Europës, luajnë një rol tepër të rëndësishëm për të ndihmuar në ndryshimin e imazhit të shqiptarëve, shkruan ndër të tjera ‘The Economist’, duke vlerësuar artistët shqiptarë që kanë pushtuar botën, por edhe të gjithë shqiptarët e tjerë që kanë shkëlqyer në fusha të tjera të jetës.



