Vrau ish-bashkëshorten dhe vëllanë e saj në Rrëshen, gjendet i vdekur 47-vjeçari
Vret veten pas ngjarjes tragjike

Autori që vrau me armë zjarri në Rrëshen ish-gruan dhe vëllanë e saj është gjetur i vdekur në banesën e saj.
Fatmir Kolecaj, 47 vjeç, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në Rrëshen, ku humbën jetën Esmeralda dhe Vledison Filopati.
Fatmir Kolecaj ishte divorcuar nga bashkëshortja e tij Esmeralda pak vite më parë, ndërsa nga martesa e tyre e vështirë, e shoqëruar me dhunë fizike të vazhdueshme, kanë ardhur në jetë tri vajza, të cilat e ndjera i kishte marrë me vete në banesën e prindërve të saj.
Kolecaj kishte kryer 10 muaj burg për dhunë në familje dhe pasi kishte dalë nga qelitë, nuk i kishte parë vajzat e saj.

Para se të kryente vetëvrasjen ditën e sotme, Kolecaj ka shkëmbyer armë zjarri me forcat e rendit, duke lënë të plagosur një punonjës policie.
Policia e Shtetit sqaron se Forcat e FNSH-së së Shkodrës kanë krijuar perimetrin e jashtëm të rrethimit të banesës dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej.
“Fatmir Kolecaj kur ka parë se s’kishte asnjë mundësi që të largohej nga banesa ka varë veten me armë zjarri”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se punonjësi i FNSH-së së Shkodrës ka marrë një plumb në pjesën e këmbës, duke u plagosur lehtë.

Njoftimi plotë i policisë:
Në lidhje me ndjekjen, lokalizmin dhe kapjen e autorit të ngjarjes së mbrëmjes të datës 25 shkurt në Kodër Rrëshen ku mbetën të vrarë me armë zjarri vëlla e motër, forca të shumta të Policisë së Shtetit prej 45 orë kërkimesh dhe kryeje të veprimeve proaktive kanë bërë të mundur që të lokalizonin autorin e ngjarjes, i cili në orët e pasdites është futur nëpërmjet pyllit në banesën e tij në fshatin Zejmen të Lezhës.
Forcat e FNSH-së të Shkodër kanë krijuar perimetrin e jashtëm të rrethimit të banesës dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej.
Autori i ngjarjes, shtetasi Fatmir Kolecaj, nuk i është përgjigur thirrjes së Policisë për t'u dorëzuar, por ka hapur zjarr në mënyrë të befasishme mbi forcat e Policisë dhe për pasojë, nga të shtënat është plagosur në këmbë jashtë rrezikut për jetën një punonjës i FNSH-së, Shkodër.
Në ndihmë të FNSH-së dhe Policisë lokale kanë shkuar edhe forcat speciale Renea, ku kanë krijuar një rrethim të dytë dhe i kanë bërë thirrje autorit të hidhte armën dhe t'i dorëzohej Policisë.
Autori Fatmir Kolecaj, kur ka parë se s’kishte asnjë mundësi që të largohej nga banesa, ka varë veten me armë zjarri.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Lexo edhe:
Historia e trishtë pas vrasjes së dyfishtë në Rrëshen, policia jep 5 mln lekë për kapjen e autorit



