Emisioni “Historia ime”, në Tv Klan, sot u është kushtuar historive të dashurisë. Mes historive të rrëfyera në studio ka qenë edhe ajo e aktorit Romir Zalla dhe bashkëshortes së tij, Suela. Romiri dhe Suela kanë një lidhje të gjatë dashurie, fryt i së cilës kanë qenë edhe dy fëmijët e tyre, Kaltrina dhe Hermesi. Po ashtu, ata ndajnë edhe të njëjtin profesion dhe kjo është ndoshta diçka që i ka mbajtur edhe më të lidhur këto 25 vite së bashku. Në studion e “Historia ime”, ata kanë folur për dashurinë që i ka rezistuar kohës dhe fillimet e lidhjes së tyre.
Mes të tjerash, Suela ka treguar se dashurohet dhe ridashurohet me Romirin në çdo shfaqje, si herën e parë.
“Romiri është shoku im më i mirë në jetë, absolutisht. Unë nuk kam pasur, nuk kam dhe nuk besoj se do kem një shok më të mirë, në kuptimin e të gjithë asaj lloj mbështetjeje dhe asaj sigurie, asaj qetësie që më transmeton dhe më jep çdo ditë të jetës sime. Pastaj, për sa i përket dashurisë, besoj se ajo që më ndodh realisht me Romirin është që në shfaqjet e tij, dhe sidomos në ato shfaqje ku jep maksimumin dhe nuk ka lënë asgjë pa nxjerrë, unë ridashurohem ose dashurohem si për herë të parë”, -është shprehur Suela.
Por, edhe Romiri nuk mund të ishte më pak romantik. Ai është ndalur paksa te fillimi i lidhjes së tyre, saktësisht te momenti kur lindi shkëndija.
“Suela u bë prezente në jetën time në një moment kur ajo kishte vendosur t’i futej këtij profesioni, që ne tashmë ndajmë me njëri-tjetrin, të njëjtin profesion. Më shumë se profesion, në fakt, ne e kemi pasion, e kemi sfidë, e kemi mision. Unë në fakt e kam vlerësuar shumë këtë gjë dhe kam vlerësuar disa detaje të vogla që tregonin që Suela karshi meje kishte përtej marrëdhënieve që na lidhën fillimisht. Dihet tashmë që unë dhe Suela jemi njohur gjatë momentit kur ajo vendosi të hyjë në Akademinë e Arteve dhe unë iu bëra suport, e ndihmova, e orientova më shumë. Mbas momentit që Suela fitoi konkursin ishte një gjest, një detaj shumë i vogël, domethënë Suela vendosi të më dhurojë diçka, që unë e mbaj mend shumë mirë sot e kësaj dite. Ndoshta s’ka vlerë ta thuash sot, por atëherë për mua ishte shumë e rëndësishme. Dhe unë aty ndalova dhe thashë: Një sekondë se këtu ka diçka, duhet ndaluar.”, -është shprehur Romiri.