Sanremo 2020 është gati! Vetëm pak minuta më parë, drejtuesit artistik dhe organizatorët e edicionit të 70-të të festivalit kult të muzikës në Itali dhe Europë, zbuluan të ftuarit special, skenografinë, si dhe emrat prestigjioz që do t'i bashkohen madhështisë së këtij kompeticioni artistik.
Mes tyre, e konfirmuar zyrtarisht përmes Amadeus dhe konferencës për shtyp është edhe Alketa Vejsiu! Ajo do të ngjitet në skenën e teatrit "Ariston" në krahë të Amadues dhe Georgina Rodriguez, bashkëshortes së yllit të futbollit Cristiano Ronaldo. Mes 10 grave të famshme nga e gjithë bota, Alketa Vejsiu do të jetë një prej tyre si e ftuar në natën e tretë të Sanremos.
"Gratë nuk kanë klasë shoqërore, as përkatësi politike, as ngjyrë lëkure për t'u gjykuar! Sepse gratë duhet të respektohen kudo në botë. Më pëlqen të sjell një grua si Alketa që në Shqipëri konsiderohet si Antonella Clerici. Është e zonja, inteligjente dhe e bukur. Një përfaqësuese e denjë nga një vend si Shqipëria që e do Sanremon", u shpreh Amadues për prezantuesen shqiptare.
Lajmi zyrtar po qarkullon në të gjitha mediat italiane! Portalet dhe mediumet e rëndësishme i kanë bërë jehonë pranisë së prezantueses nga Shqipëria në skenën e madhe të këtij festivali.
Ky edicion është i gjithi një surprizë e jashtëzakonshme për vetë praninë e shumë yjeve nga bota e spektaklit, kinemasë dhe artit në botë. Sipas mediave të huaja, po bëhen përpjekje që edhe Meghan Markle të jetë pjesë e magjisë së skenës së Sanremos, ndërsa lajmi pritet të konfirmohet në ditët në vijim.
Prania e Roberto Benignit dhe Fiorellos është konfirmuar për natën finale! Tiziano Ferro në të pesta netët i pranishëm si këngëtar, ndërsa në një nga netët e festivalit do të rezervojë një duet me Massimo Ranierin. Në top listën e grave që do të jenë pjesë e Sanremos janë
Diletta Leotta, gazetarja Rula Jebreal, Emma D’Aquino, Laura Chimenti, Sabrina Salerno dhe Monica Bellucci.