Historia e tyre u ngjan rrëfenjave që vijnë nga lashtësia... Për një popull që identitetin e ka ndërtuar përmes betejash dhe sfidash, në trojet e përgjakura ku armiqtë kanë ngritur krye dhe ku shqiptarët kanë luftuar për të mbrojtur fort atë që u takon. Por, në dallim nga heronjtë e dikurshëm, ata të dy janë heronjtë e kohëve moderne. Doemos! Terreni është tjetër! Armët janë të tjera!

Nuk janë as heshta, as shpata, as mburojat që mbahen në trup për t'u përballur në fushë-beteja. Sot, sfidat janë të një lloji krejt tjetër. Lufta me veten është beteja më e madhe e nëse ti e fiton atë, ke fituar sakaq zemrat e shumë të tjerëve. Sidomos kur je person me peshë publike, që ke investuar në karrierë dhe me profesionalizëm dhe talent ia ke dalë të rrëmbesh vëmendjen e miliona njerëzve që të ndjekin dhe adhurojnë.

Ata të dy janë shembulli perfekt për këtë. Alketa Vejsiu dhe Noizy, në dukje të parë, janë dy drejtëza paralele që nuk përputhen askund, por në thelb për ata që i njohin që në gjenezë të fillimeve të tyre, artit, konkurrencës dhe sfidave, e dinë se ka diçka që i bashkon pa kushte: "lufta" për të krijuar secili rrugën e vet. Noizy, si reperi i parë më i suksesshëm në Shqipëri, dhe Alketa Vejsiu si prezantuese, producente artistike dhe sipërmarrëse e kompanisë që ajo e ka ndërtuar duke vënë në themel energjitë dhe zemrën, Class by Alketa Vejsiu.

Noizy, artisti aspak i zakonshëm, që shumë e duan, por dhe plot të tjerë e sulmojnë, ia ka mbërritur të shohë suksesin të shkëlqejë në pafundësinë e qiellit me yje plot. Falë sfidës për të krijuar rrugën e tij. Fillimisht me muzikë, si sipërmarrës me një linjë veshjesh brand name: Illyrian Bloodline, e së fundmi me një investim gjigant, restorantin më të ri në Durrës, Zins! Me gjakun 100% shqiptar, dy shembuj dhe histori suksesi shqiptare që tashmë i kanë kapërcyer kufijtë e famës edhe përtej vendit tonë.

Dhe të dy bashkë, vendosën të realizonin një set fotografik ndryshe. Shumëkush u habit kur pa për herë të parë fotot e Noizyt dhe Alketës. Me dy fusha veprimi të ndryshme profesionalisht, por me shumë pasion për suksesin dhe të bukurën, Illyrian Bloodline dhe veshjet e reja nga ky koleksion prezantohen për të parën herë nga dyshja e artistëve të njohur, që bashkë me fotot, përcjellin një brand të frymëzuar nga rinia, nga trendet dhe bota urbane. Sepse, siç thotë vetë Noizy, ai zgjodhi Alketa Vejsiun për t'iu bashkuar fushatës së Illyrian Bloodline, sepse vetëm ajo personifikon konceptin e kësaj linje veshjesh. Një grua e fortë që përkrah dhe fuqizon gratë e tjera. Me gjithë kapacitetet, botëkuptimin, stilin, Illyrian Bloodline është një linjë veshjesh ku të gjithë mund të gjejnë veten, gra dhe burra!

Përtej qasjes në biznes dhe sipërmarrje, synimet e Noizy-t janë edhe më qarta se kaq. Një investim tjetër i mundshëm në hoteleri dhe studio muzikore do të jenë angazhimi i radhës i artistit. Bashkë me prurjet e reja në muzikë, bashkëpunimet me reperat më në zë të momentit në botë, një vit tjetër u mbyll me një bilanc pozitiv janë vetëm një pjesë nga rrëfimi i Noizy-t. Për herë të parë, ai flet hapur edhe për raportin e tij me gazetarët dhe mediat në Shqipëri, arsyet pse refuzon shumicën e kohës që të jetë protagonist në intervista dhe studio publike! Një rrëfim pa doreza për bashkëpunimin me Alketa Vejsiun, projekti që i bëri ata bashkë, muzika, familja, vajzat në jetën e artistit, gjithçka tregohet këtu në Class.

Noizy, pse vendose të investosh pikërisht në një restorant?

Që në fëmijëri, më ka pëlqyer gatimi. E them gjithnjë, nëse nuk do kisha hyrë në botën e muzikës, do isha marrë me kulinarinë në një mënyrë ose një tjetër. Të udhëtuarit nëpër botë gjatë dekadës së fundit, më ka mundësuar të provoj gatime dhe kuzhina të ndryshme. Kjo më ka frymëzuar që të hap një restorant timin që përmban disa nga pjatat e mia të preferuara nga shtete të ndryshme. Për mendimin tim, Durrësi ka restorante shumë të mira, por jo një që përmbledh disa kuzhina apo koncepte të ndryshme nën një çati. Nëse ju pëlqen mishi i marinuar, ushqimi vegjetarian, sushi apo waffles, mund t’i gjeni të gjitha te ZINS.

Pse këtë emër, Zins?

Zin është një pseudonim që ma kanë vendosur të afërmit e mi, shkurtim i Noizy, por mbrapsht. Zin’s dmth “ Zin’s Place”, vendi Zinit.

Menuja e restorantit çfarë përmban? Cili është specialiteti i restorantit tuaj?

Në ZINS ofrohen gatime nga tre botë kulinare; italiane me pastat e freskëta artizanale si dhe specialitete të tjera; japoneze e fokusuar tek sushi dhe së fundmi crêpes dhe waffles belge. Është e vështirë të zgjedhësh të preferuarën, secila pjatë është përzgjedhur me shumë kujdes derisa ka arritur të vendoset në menu. Unë për vete vdes për salmon tartare.

Zgjodhe Durrësin për faktin që t'i risjellësh jetën një qyteti të shkatërruar nga "plaga" e tërmetit apo ka arsye tjetër? Pse jo Tirana?

Tërmeti tragjik nuk ka qenë arsyeja fillestare përse zgjodha ta ndërtoja ZINS në Durrës. Ndërtimin e kam filluar para kësaj, por nëse ndonjë biznes i imi mundet për një moment të bëjë që njerëzit të harrojnë traumat e atyre ditëve, unë jam mëse i kënaqur. Në fund të fundit, asgjë nuk i bashkon më mirë njerëzit sesa ushqimi. Atëherë pse Durrësi dhe jo kryeqyeti? Durrësin e dua shumë, është qyteti im i lindjes dhe pamja e detit apo perëndimi magjepsës me të cilat është bekuar Durrësi dhe për pasojë dhe ZINS, nuk mund të gjenden në kryeqytet.

Noizy, jemi në fillim të këtij viti dhe jo vetëm artistët, por edhe njerëzit e zakonshëm përpiqen të bëjnë një bilanc për vitin që lamë pas. Si ishte për ty 2019-a?

E suksesshme, shumë punë, pak gjumë. Në përgjithësi mirë, falë punës së pandalshme çdo ditë.

Mund ta cilësosh deri tani si vitin tënd më të mirë në aspektin profesional?

Kam punuar për emër dhe tashmë punon emri për mua. Nuk mungon në asnjë moment këmbëngulja ime për të arritur më shumë, nuk kam frikë nga investimi, pasi kam fuqi publicitare. Duke qenë se mundohem të jap përherë cilësi në çdo sipërmarrje timen, është akoma më e lehtë për të arritur suksesin.

Në aspektin e muzikës, ju praktikisht jeni i vetmi artist shqiptar që jeni ftuar nga MAD TV në Greqi për të kënduar dhe performuar hite atje, mbi të gjitha në gjuhën shqipe. Për një artist që ftohet në një kompeticion kaq të rëndësishëm ballkanik, është doemos një arritje apo jo?

Në fakt nuk e dija që që asnjë artist shqiptar nuk kishte arritur të këndojë shqip në një televizion grek. Pasi mbaroi performanca në MAD TV Awards, më morën në intervistë dhe më shtruan këtë pyetje. U emocionova jashtë mase për shkak se në Greqi, siç e dimë, ka shumë shqiptarë dhe po mendoja se sa krenarë po ndihen ata në ato momente. Me të vërtetë, ishte përjetim i bukur dhe një nga arritjet më të mëdha për mua. Një bravo të madhe për MAD TV Awards për profesionalizmin. Më kanë pritur ngrohtë dhe më kanë bërë të ndihem shumë mirë.

Bashkëpunimet e tua kanë qenë me reperat më në zë të momentit në Europë, me Raf Comora psh. Toto-ja e famshme është një super hit që u pëlqye në masë. Çfarë ka të veçantë dyshja juaj në këtë bashkëpunim?

Raf Camora është një ndër artistët më të mëdhenj dhe të suksesshëm në Gjermani. Ai bashkëpunon me një grup super të famshëm, grupi 187 që përfshin artista si: GZUZ, BONEZMC, MAXWELL, LX. Sa i përket bashkëpunimit tonë me RAF-in kënga “Toto” është një stil AfroBeat dhe ka super ritëm që të detyron të kërcesh. Besoj kjo është një nga gjërat që e bëri të famshme këtë këngë në shumë vende të Europës.

Hite të tjera të njohura janë ato me reperin italian Ghali Snik, Capo Plaza, Gue Pequeno, që janë pëlqyer shumë nga fansat e tu të shumtë. Është synimi yt që si një nga reperët më të mirë të Shqipëri, fama dhe suksesi të tejkalojnë kufijtë dhe të bëhen ndërkombëtar?

Po, me të gjithë këto emra, jam shok si fillim dhe më pas bashkëpunimet kanë ardhur natyrshëm. Synimi im në fillimet e mia ka qenë të më njihte Shqipëria dhe të tregoja që edhe në atë botën tonë të vogël dijmë të bëjmë “rap” dhe të kemi përfitime nga kjo rrymë muzikore, e cila ka lindur nga rruga dhe dhuna. Duke mos ditur se si të shprehja dhimbjet dhe vuajtjet, vendosa t'i shkruaja ato dhe t'i recitoja, në fakt kjo është dhe përmbajtja e fjalës “RAP”: Rhythm and Poetry. Tani synimi im është të më njohë bota dhe të arrij atje ku asnjë Rap Artist shqiptar s'ka arritur, dhe nëse Zoti më jep jetë, do ta realizoj këtë!

Noizy ti nuk je vetëm një artist dhe një reper i dashur për publikun. Qasjet dhe orientimi yt i hershëm ka qenë edhe ndaj biznesit, sipërmarrjes. Vijmë tek linja e veshjeve "Illyrian Bloodline". Si lindi ideja për të krijuar një brand sportiv veshjesh?

E kam pasur që në fillimet e mia këtë ëndërr. Kam shumë njerëz që më ndjekin, si nga muzika por dhe në jetë të përditshme, stili e jetesës, mënyrat veshjes, etj., madje ka dhe nga ato që berberit ju thonë: dua qethjen e Noizyt, nga kjo më lindi ideja e krijimit të një linje veshjesh. Mendova që ndoshta mund të eci, reklama nuk do të mungonte dhe thashë pse jo. Kjo ëndërr flinte çdo natë në sirtar pasi unë isha tepër i angazhuar me të qenurit artist, për të mos të thënë artisti me më shumë angazhime dhe prodhime këto 10 vitet e fundit. Në momentin që puna ime si artist më sillte fitime shumë të mëdhaja, nuk mund ta lija mënjanë dhe të angazhohesha me diçka që nuk isha i sigurt se si do më eci. Krijimi i një brand-i veshjesh kërkon shumë kohë dhe angazhim, që të nxjerresh diçka cilësore në treg, dhe nuk është se e bën një herë dhe ke mbaruar punë. Nevojitet kohë, përkushtim dhe përkujdesje të veçantë, me detaje dhe dashuri. Duhet staf profesionistësh dhe ketë nuk e kisha në fillim, pasi nevojat e mia në atë kohë ishin më të rëndësishme se dëshirat. Tani që plotësova nevojat, mund të merrem me dëshirat. Në vetëm dy vjet, mendoj se jemi në rrugën e duhur. Cilësia e IllyrianBloodLine është çdo herë në rritje. Me secilin koleksion që nxjerrim përmirësohemi dhe mësojmë më tej për të vazhduar zgjerimin e brand-it edhe në shtete të tjera përveç Ballkanit.

Në vetëm dy vjet, rrjeti i dyqaneve të Illyrian është zgjeruar në pesë të tilla. Ju jeni mësuar tashmë me shijen e suksesit, por çdo të thotë që të njohësh një rritje kaq të shpejtë në vetëm 365 ditë të vitit, ndërkohë që dimë se kërkesat janë të shumta edhe për në Zvicër, Gjermani, etj.

Një histori e vogël dhe e shkurtër: kur bëra porosinë e koleksionit të parë, investimi ishte rreth 15 mijë euro. Pasi i tregova për dëshirën për hapjen e një brandi veshjesh, miku im Blerim Destani më tha: kam një shok që merret me veshje, nëse dëshiron mund të të takoj dhe bisedo me të. U takova me të dhe më prezantoi me designer-in e vet. Vendosëm që, në fillim të bëjmë bluze me mëngë të shkurtra të printuara me shprehje të këngëve të mia. Në fakt nuk prisja diçka të madhe duke llogaritur investimin modest, thashë me vete sa do jetë fitimi! Gjithsesi ajo që na bëri përshtypje ishte se në momentin kur dolën këto veshje online, na u bllokua serveri nga fluksi i madh i njerëzve. Bluzat kushtonin rreth 34.99€ dhe personi që kisha lënë të menaxhonte shitjet ishte shtetas gjerman. Ai vazhdimisht më thoshte: "Hi Noizy the sales are going amazing" dhe unë që s'i ktheja përgjigje sepse kisha punë më të rëndësishme sesa të shisja disa bluza. Por, këto “disa bluza” u bënë shumë bluza, kaluan 1000 copa, 2000 copa, gati 3000 për një kohë shumë të shkurtër, dhe ky gjermani që non-stop shkruante: "Noizy are you here? We are selling really good!" Ndërkohë unë vetëm ia ktheja me "Bravo" ose diçka sa për të kaluar radhën dhe harrohesha. Një ditë qëllova me babin në makinë kur ky gjermani më merr disa herë në telefon dhe unë i acaruar ia mbylla telefonin, dhe them "më çmendi ky". Babi më pyet, kush, çfarë ke? I tregova që kisha bërë disa bluza dhe i kisha shitur dhe ky personi më çmend pa pushim në telefon, më acaroi. Babi i qetë më pyet sa bluza? I thash diku 3000 më duket, tha ok. Rrin e rrin dhe pyet, sa është një bluzë? I thash 34.99€. Babi me sheh nga pasqyra dhe thotë: “O budalla, ça je duke thënë?!” A e ke menduar sa bëjnë?! Thashë "sa?" Mbi 100 mijë euro! Dhe unë direkt i kthehem këtij personit që menaxhonte faqen, "Bro how are you, how much money is there"? Tha Noizy kam një javë që të them që kemi shitur shumë dhe ti më kthen ca përgjigje qesharake, fillova të mendoj sa i pasur duhet te jetë ky që nuk i bëjnë përshtypje këto shuma? Që atë ditë e çova IllyrianBloodLine në tjetër dimension.

E menaxhon vetë edhe biznesin e veshjeve apo ke deleguar persona të tjerë?

IllyrianBloodline tashmë nuk mund të menaxhohet vetëm nga unë. Është një staf i plotë profesionistësh që përfshijnë: menaxherët e marketingut të cilët merren me të gjithë aspektet e reklamimit, duke filluar nga billboards e deri tek rrjetet sociale; menaxheri i shitjeve i cili është përgjegjës për shitjet online si dhe në dyqanet fizike; expansion manager i cili merret me zgjerimet dhe hapjet e dyqaneve të reja, grafic designer, clothes designer, me origjinë italiane dhe tjetri gjerman. Të rëndësishëm janë edhe stafi i shitjeve apo shërbimi me klientin. Ardhja në një nga pikat tona të shitjes duhet të jetë eksperiencë e bukur, jo thjesht shitje-blerje veshjesh. Synimi është që të jemi brand botëror, të kemi dyqane në gjithë botën, në vitet në vijim do jemi në MILANO. Është synimi im, unë jap idetë e mia dhe stafi e çon në nivele më të larta.

Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

Përveç muzikës, siç thashë dua të bëj IllyrianBloodLine brand ndërkombëtar, dhe të merrem me biznese të mëdha, të tipit hotele dhe studio profesionale gjigante.

Vijmë tek bashkëpunimi me Alketa Vejsiun. Si lindi ideja e realizimit të një photoshooting së bashku që na duhet ta pranojmë, i ka surprizuar të gjithë?

Alketa është një imazh tepër serioz në Shqipëri. Duke kërkuar prej kohësh një bashkëpunim me një vajzë, zonjë të vërtetë, me bukuri natyrale, bashkëpunimi me të cilën nuk do ia merrte mendja askujt, stafi i marketingut më sugjeroi: kush më mirë i përshtatet këtij përshkrimi sesa Alketa? Aty vendosa të kontaktoja me yllin vet. Ramë dakord për një super set fotografik së bashku, dhe jam shumë i kënaqur. Ajo është shumë profesionale dhe korrekte në gjithçka çfarë bën. E përgëzoj për të gjitha arritjet e saj dhe e falënderoj shumë.

Jeni të dy të famshëm, të suksesshëm respektivisht në fushat ku operoni, por çfarë të shtyu rreth këtij bashkëpunimi?

Illyrian Bloodline është një brand i frymëzuar nga rinia, rruga, trendet dhe bota urbane në përgjithësi. Pse Alketa? Sepse Alketa është një figurë që ka luftuar për të krijuar rrugën e saj. Unë dhe koncepti i Illyrian Bloodline i vlerësojmë femrat e forta që përkrahin dhe fuqizojnë femrat e tjera. Përveç kësaj, donim dikë që do i suprizonte të gjithë, dikë të vështirë për t'u arritur. Ajo i përmbushi të gjitha këto, she’s amazing.

Na duhet ta pranojmë: ndoshta kjo është ndër të rrallat intervista tuat për mediat sepse raporti yt me gazetarët në Shqipëri apo mediat në përgjithësi, nuk është fort i këndshëm. Pse ke zgjedhur që të mos bësh dalje publike, në intervista apo studio televizive?

Sepse shumicën e rasteve mediat ose gazetarët preferojnë të kapin gabimet e mia, të fokusohen në gjërat jo të këndshme, duke më emërtuar si personi jo ideal familjar, për rininë shqiptare. Në fakt nuk është ashtu. Nëse njiheni me historinë time, nuk jam unë ai që kam nisur problemet kur kanë ndodhur probleme. Mos të them që unë shumicën e rasteve kam qenë viktima, unë jam sulmuar. Dhe pse kam dalë fitues, unë prapë jam ai që çdoherë jam sulmuar i pari. Jam mbrojtur siç unë di, pa dredhi dhe kam dalë sikur unë jam ngatërrestar. Vetëm pse jam njeri me famë bëhet shumë e madhe çdo çështje sado e vogël, siç mund të jetë thjesht një sherr që çdokujt mund t'i ndodh kudo, në rrugë, në punë, në autobus, në restorant, në aeroport, etj. Pra, probleme të vogla që s'ia vlen t'u hedhësh vëmendje, por fakti që është Noizy në mes, gazetarët ose portalet vendosin qëllimisht t'u hedhin benzinë për përfitimet e klikimeve të artikujve të tyre banale madje duke arritur të përdorin tituj të tipit, Noizy vdes, Noizy plagë në kokë, Noizy me Ferrari borxh, Noizy shembull i keq për rininë, Noizy kështu Noizy ashtu. E kuptoj që duke qenë në rolin që jam duhet t'i pranoj dhe të tilla gjëra por kaq shumë gënjeshtra pseudogazetarësh më janë bërë të bajatshme. Kjo më ka distancuar nga mediat dhe gazetarët në përgjithësi. Noizyn është tepër vonë ta ndalësh me mallkime, sepse unë kam vendosur t'i vras të gjithë këta me HESHTJE & Dashuri për rrethin e ngushtë.

Ty njerëzit të duan dhe kanë gjithmonë interes të dinë më shumë për projektet, për muzikën, për jetën private dhe media është një medium fantastik për t'i përcjellë kësi detajesh. Pse ti bën të kundërtën, pra nuk i jep kurrë material atyre?

Sepse media përdor imazhin tim, për të përfituar shikueshmëri dhe unë nuk punoj më falas, pasi emri Noizy është kthyer në brand. Kam vendosur që lajmet për Noizy-n të merren vetëm nga instagrami im që është @noizy dhe muzikën time mund ta gjeni vetëm në kanalin tim të youtube, ëëë.youtube.com/thisisnoizy. Kur mediat të ndryshojnë, kur qëllimi i tyre të jetë realisht përcjellja e një lajmi të vlefshëm dhe jo tituj që s'kanë lidhje me artikullin apo publikimi pa baza i lajmeve të rremë dhe negative, atëherë do ndryshojë dhe qëndrimi im ndaj tyre.

Noizy, ti je reperi që në këngët e tua thua shpesh: "Nuk e di sa është ora"! Në fakt si nis një ditë e zakonshme e një artisti si ti?

Varet çfarë dite, nga e hëna deri të enjten zgjohem pak vonë, nga ora 10:00 / 11:00, në fundjavë zakonisht jam në koncerte diku nëpër botë. Nga e hëna në të enjte i kushtoj kohë prodhimit të muzikës dhe menaxhimit të bizneseve, ndërsa weekend koncerte.

Kujt i je mirënjohës për njeriun që je sot?

Zotit, mamit, babit. Babai im në fakt është shoku im më besnik, falë tij jam ky që jam sot. Një baba që s'diti kurrë të abuzojë me të ardhurat e fëmijës së tij, një baba që s'e la kurrë familjen e vet të vuajë për ushqim, një baba që kur përmendet emri i tij, nuk thuhet asgjë tjetër përveç se një njeri punëtor, korrekt dhe i drejtë. E adhuroj këtë gjë te ai dhe i lutem Zotit të arrij këto vlera kur të bëhem në moshën e tij. Është një burrë pa vese, në dukje i ashpër, por me zemrën e madhe. Unë e di që ashtu e ka bërë jeta, sepse është një malësor me origjinë nga Dibra, vjen nga një familje e madhe prej 10 vetash dhe kushtet e jetës i ka patur aq të vështira saqë kur më tregon për rininë e tij, i mbushen sytë me lot, e adhuroj. Ai është shoku më besnik që kam.

Tani që ke këtë "peshë të madhe" të famës dhe suksesit, si ndihesh?

Ndihem i përgjegjshëm, sikur duhet të kem kujdes se çfarë bëj, si e bëj dhe a lëndoj njeri nëse veproj në këtë mënyrë. Njerëzit presin shumë nga unë, dhe unë jam tip i ndjeshëm, zemërohem shumë shpejt, jam i drejtë dhe kur më bëhen padrejtësi, e marr shumë afër zemrës. Çdo ditë që jetoj, mësoj dhe mundohem të përmirësohem, sepse nuk ka njeri perfekt. E rëndësishme është t'i kuptojmë gabimet dhe qëllimet t'i kemi të sinqerta.

Mendon se ke bërë gabime gjatë rrugës drejt suksesit? Ke shkelur njeri?

Gabime 100% kam bërë, por në shumicën e rasteve jo me qëllim, a kam shkelur njeri? Asnjë person që se ka merituar, të paktën kështu mendoj unë. Mbase jam dhe gabim, si dihet.

Je i famshëm, i suksesshëm, ke para, femrat të duan, por a ka ndodhur ndonjëherë që ndonjë femër të të nënvlerësojë?

S'e di, të them të drejtën! Nuk është se i vë re shumë këtyre gjërave. Qëllimet e mia i kam të qarta, kush më nënvlerëson është thjesht një mendim i tyre, gjë që s'më prish punë shumë. Nëse më kanë nënvlerësuar do të thotë që s'më kanë njohur mirë.

Si është gruaja ideale për Noizy?

Një grua e sinqertë, e thjeshtë që nuk është shumë e lidhur me make up, nëse ka mundësi fare ose shumë pak. Një femër me karakter, me ndershmërinë si mamaja ime ose si motra ime.

Çfarë raporti ke me femrat në përgjithësi?

Raporte të mira besoj, s'e di, mbase duhet të pyesni ato.

A je i dashuruar në këtë fazë të jetës tënde?

Po, me disa femra në fakt: mamin, motrën vajzën time & mbesën. I dua shumë.

Një mesazh të sinqertë për fansat dhe lexuesit e revistës Class?

Nëse don sukses, duhet ta duash atë më shumë se fryma nën ujë, teksa po mbytesh.

Credits:

Design: Xhesika Berisha

Foto: Orsola Mema

Veshjet: Illyrian Bloodline