Këto nëna tregojnë me krenari trupin pas lindjes dhe janë shumë larg ‘idealeve joreale’
Sa mirë

Një studim i fundit në Britani ka zbuluar se 80 për qind e nënave e krahasojnë trupin e tyre pas lindjes me “idealet joreale” që shohin gjithandej - te personazhet e famshëm dhe te “trupi ideal” shumë pak ditë pas lindjes.
Kur një grua sjell në jetë një fëmijë në film apo në show, barku i saj – puuuf – shfryhet si me magji sapo ajo ka sjellë në jetë një bebe. Por, siç dihet, në jetën reale kjo nuk ndodh, sepse shumica e nënave, jo vetëm që nuk e kanë barkun petë, por e kanë edhe plot strija.

Në përpjekje për të “normalizuar eksperiencat e tyre” një kompani e kujdesit prindëror në Britani, Mothercare, ka prezantuar së fundi një fushatë, në të cilën një grup nënash të reja kanë treguar me krenari trupin e tyre pas lindjes së bebeve — plagë, strija, bark i fryrë e gjithçka. Siç është në të vërtetë…
Kompania tha në një njoftim për PEOPLE se ishte frymëzuar për të nisur këtë fushatë “Body Proud Mums”, pasi zbuloi nga studimi se më shumë se 80 për qind e nënave në Britani pranuan se i krahasojnë trupat e tyre pas lindjes me "idealet joreale", nga mediat dhe të famshmit.

Përveç kësaj, 51 për qind e nënave thanë se i filtrojnë ose i ndryshojnë fotot e tyre pas lindjes së foshnjës duke ndryshuar tërësisht pamjen që ka trupi i tyre.








