'Sunny Hill', festivali që do të mbledh në Kosovë artistë të huaj dhe shqiptarë
Kush do të performojë?

Fondacioni Sunny Hill është një fondacion bamirës në Prishtinë, i themeluar nga këngëtarja Dua Lipa. Ky fondacion do të organizojë festivalin Sunny Hill në Kosovë, ku priten të performojnë artistë me famë botërore, por edhe artistë shqiptarë.

Ky festival do të mbahet në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, në datat 10, 11 dhe 12 gusht. Organizatori kryesor i këtij festivali, Dukagjin Lipa, i ati i këngëtares së famshme, Dua Lipa, ka qenë i ftuar në emisionin “21 gradë” në RTV21, ku ka folur për artistët që do të performojnë.

Sipas tij, në natën e parë do të performojë Dua Lipa dhe në natën e dytë reperi Action Bronson. Ndërsa natën e tretë do të performojë DJ me famë botërore Martin Garrix. “Më datën 8 gusht Dua vjen në Prishtinë …atëherë do t’i kemi aktivitetet e fondacionit, ku i ndajmë 100 mijë euro për aktivitetet në Kosovë”, -është shprehur Dukagjin Lipa.

Po ashtu, pritet që në këtë festival të performojnë edhe artistë të tjerë si: Carter, Albert Stanaj, SG Lewis, Col3trane, Grace si dhe Ledri Vula, Buta, Mc Kresha, Jericho, Shpat Deda etj.



