Programi i ri në Top Channel, zbulohen emrat e anëtarëve të jurisë
Cilët do të gjykojnë

Top Talent, programi më i ri që do të nisë nga muaji korrik në Top Channel, ka për qëllim zbulimin e talenteve të reja në fusha të ndryshme, gazetari, moderim dhe regji. Siç u zbulua pak ditë më parë, moderimi i këtij formati i është besuar Kelvi Kadillit.

Formula ka disa faza përzgjedhëse. Konkurrentët do të përzgjidhen nga një juri profesioniste, e cila do të votojë konkurrentët që do të kalojnë në fazat e tjera.

Top Channel zbuloi edhe dy pjesëtarët e parë të jurisë, Marin Mema dhe Klevi Kadilli, të cilët do të gjykojnë dhe do të zgjedhin fituesit që në fund do të nënshkruajnë një kontratë pune me televizionin.

Ndërkohë, pak minuta më parë janë zbuluar edhe tre emra të tjerë të jurisë së këtij spektakli, që pritet të nisë së shpejti.

Sipas njoftimit, Kelvi Kadillit dhe Marin Memës do t'u bashkohen gazetarja Beti Njuma, Edi Manushi dhe Bieta Sulo.

Top Talent do të transmetohet përgjatë muajve korrik – gusht në Top Channel. Në fazën e parë aplikantët do të konkurrojnë përpara një jurie profesioniste, ndërsa në fazën e dytë gjysmëfinale aplikantët e kualifikuar do të trajnohen nga një staf profesionist në Top Channel. Në këtë fazë do të konkurrojnë me materiale të përcaktuara nga juria. Konkurrentët që do të kualifikojë juria për në mbrëmjen finale do të kenë mundësinë të jenë fitues dhe të sigurojnë një kontratë pune në Top Channel. Jo vetëm juria, por dhe publiku do të mund të përzgjedhë njërin prej konkurrentëve.



