Ngrohja e motit, ardhja e pranverës, veshjet e lehta, fytyrat e qeshura të njerëzve që mund të ndeshim rrugës, janë të gjitha arsye që na bëjnë të besojmë se sot është një tjetër ditë e re. Dielli shkëlqen, dhe pse të mos i marrim ditës më të mirën e mundshme?! 

Si për t'i bërë sfidë datës së sotme në kalendar, e premte, 13 Prill, gjithsecili nga ne mund të gjej mjaftueshëm arsye tek vetja për të nxjerr më të mirën dhe për të mos qenë thjesht "peng" i bestytënive të rastit.

Sot, edhe unë vendosa të bëj diçka ndryshe, që më ngrohu zemrën sapo e mendova! Pse të mos e nisja ditën me një ide që të gëzon si fëmijë...Për pakëz, u ktheva pas në kohë, duke kujtuar në retrospektivë vitet kur të ngarit e biçikletës ishte ndër ato dëshirat e moshës së vegjëlisë, që mezi prisnim ta realizonim përditë. Pedalimi poshtë pallatit, me bashkëmoshatarët, shpesh ishte kënaqësi që nuk ia privoja vetes. Ndërmend, më vjen edhe një nga periudhat e veçanta të jetës sime profesionale, kur në vitin e vështirë 1997, në Shqipërinë e gjendjes së jashtëzakonshme, unë i besoja biçikletës dhe me të shkoja çdo ditë në radio. Ndaj, për mua biçikleta është simbol i sakrificës sepse me të "fluturoja"  drejt ëndrrës sime. E kam një relike të çmuar të jetës sime. Edhe sot bëra të njëjtën gjë, por në dallim nga fëmijëria, destinacionin e kisha të përcaktuar. Drejt e në zyrat e Class-it, por këtë herë me dyrrotakun tim.

Në Tiranë tashmë duket sikur gëlon tjetër ajër! Ka marrë jetë Tirana ime. Gjërat janë përmirësuar, kanë ndryshuar, sidomos në infrastrukturë. Korsitë e biçikletave të japin mundësinë e pedalimit, në të gjitha koordinatat më strategjike të kryeqytetit. Mund të përshkosh kilometra me biçikletë, t'i buzëqeshësh diellit në fytyrë(mundësi që makina ta privon), të përshëndetesh rrugës me njerëz të njohur e të panjohur, dhe kryesorja ti mund të arrish në kohë në destinacionin tënd.

Mendoj se kjo mund të kthehet në një ritual të përditshmërisë, si një zgjedhje praktike që t'i mbush ditët me sportivitet, dhe kur fare mirë e kupton se kësi gjërash të vogla mund të ta mbushin shpirtin plot.

Mos e mendoni dy herë! Biçikleta është shpëtim!

Foto nga Orsola Mema